19:40 / E Diele, 26 Gusht 2018 / indeksADMonline

Kurti: Kosovën duan ta bëjnë kurban për çintegrimin e Thaçit nga Gjykata Speciale

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherë deputet i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosovën po duan ta bëjnë kurban për integrimin evropian të Serbisë dhe për çintegrimin e presidentit Thaçit nga Specialja.

Sipas Kurtit presidenti serb, Alekandar Vuçiq do marrëveshje fitimtare për Serbinë,që ta fitojë bindshëm referendumin për ndryshimet kushtetuese atje, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë i Kurtit:

Kosovën po duan ta bëjnë kurban për integrimin evropian të Serbisë dhe për çintegrimin e Thaçit nga Gjykata Speciale. Vuçiqi do marrëveshje fitimtare për Serbinë, që ta fitojë bindshëm referendumin për ndryshimet kushtetuese atje. E tillë mund të jetë vetëm një marrëveshje fort e keqe për Kosovën.

Por, Vuçiqit edhe po i ngutet, sepse: 1) Thaçi do t’i bëhet i papërdorshëm porsa ta akuzojë Gjykata Speciale; 2) Mogherini mbyll zyren para fushatës për zgjedhjet evropiane të Majit 2019; 3) Marrëveshja duhet bërë gjersa Kosova ende nuk ka ushtri dhe Lëvizja jonë ende s’është qeveria e re.

Çka duhet bërë? Paj, dihet: VETËVENDOSJE!