20:08 / E Diele, 29 Mars 2020

Kurti mbanë mbledhje online me qendrat e VV-së /Zgjedhjet janë afër, të rritet organizata!

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Lëvizja Vetëvendosje njofton se është mbajtur mbledhja e Qendrave të kësaj organizate, në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherit Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe Koordinatori i Qendrave, Valon Hoti.

“Në këtë mbledhje të drejtuar nga Vlora Haxhimehmedi, Kryetari Kurti njoftoi përfaqësuesit e qendrave të Lëvizjes me vendimet që ka marrë qeveria për ta luftuar koronavirusin dhe për masat e ndërmarra dhe ato që parashihen të ndermirën për të ndihmuar bizneset, punëtorët dhe ata që kanë më së shumti nevojë. Kryetari po ashtu foli edhe për shkarkimet e bordeve dhe zyrtarëve institucional që janë bërë muajt e kaluar, për mocionin e votëbesimit javës që shkoi, dhe për hapat e ardhshëm që ne si organizatë e si struktura duhet t’i ndërmarrim si në aspektin shoqërorë të kujdesit e solidaritetit gjatë konfrontimit të pandemisë ashtu edhe në aspektin politik të situatës së krijuar pas mocionit”, thuhet në njoftim, përcjellë Indeksonline.

Tutje thuhet se Lëvizja VETËVENDOSJE! gëzon mbështetjen më të madhe që e ka pasur ndonjëherë.

“Në adresat e saja kanë mbërritur kërkesa e interesime si dhe janë bërë anëtarësime ‘online’ si asnjëherë më parë. Qytetarët e vetizoluar nga virusi COVID-19 po vazhdojnë të jenë aktiv. Nuk ka sfidë më të rëndësishme se fitorja përballë këtij virusi, punë për të cilën u përgëzua Kryeministri nga e gjithë organizata jonë. Pas kësaj përballje do të bëhemi gati për zgjedhje. Vota e deputetëve me 25 mars kundër Qeverisë në Kuvendin e Republikës është votë që na drejton drejt kutive të votimit. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të paevitueshme. Orvatjet e Presidentit për të bërë Qeveri të “unitetit” janë të rrezikshme sepse e shkelin Kushtetutën, gjegjësisht nenin 82 pikën 2 të saj”.

Deri sa krejt në fund ata flasin edhe për zgjedhje, për të cilat sipas tyre janë afë afër.

“Prandaj, meqenëse zgjedhjet janë afër është detyrë e secilit prej nesh të punoj që të rritet organizata jonë. Legjitimiteti buron nga zgjedhjet. Zgjedhjet e fundit i ka fituar Lëvizja jonë e jo partitë e tjera. Nuk mund e nuk do ta lejojmë të vidhet vota për ndryshim. Deri atëherë, kujdes të shtuar e qëndrim të mbarë nëpër shtëpi”./Indeksonline