16:14 / E Martë, 05 Mars 2024 / k.v

Kurti në manifestimin e Epopesë së UÇK-së: Ushtrinë e kemi më të fortë se kurrë

Në kuadër të programit të manifestimit shtetëror për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e rreshtimi të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që u mbajt në Kazermën “Adem Jashari”.

Sipas Kurtit, Ushtria e Kosovës është më e fortë se kurrë më parë. “Në 2023, buxheti për mbrojtjen ishte më i larti ndonjëherë, mbi 200 milionë euro, apo më shumë se 2% e Bruto Produktit Vendor që është kriter i NATO-s”.

“E kemi rritur numrin e ushtarëve duke i shtuar 1852 ushtarë të rinj në dy vitet që shkuan dhe 600 të tjetër i kemi paraparë për këtë vit. Investimet në armatim po ashtu i kemi rritur, madje për gati trefish. Jemi pajisur me Dronë Luftarakë Bayraktar, e po pajisemi edhe me sistemin raketor antitank “Javelin”, ndërkaq trajnimet jashtë vendit për juve ushtarakë të dashur i kemi katërfishuar”.

Kurti paralajmëroi se rritja e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë prioriteti i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes edhe këtë vit, krahas bashkëpunimit ndërkombëtar me miq, partnerë e aleatë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca,

I nderuari baca Rifat, Rifat Jashari,

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe deputetë,

I nderuar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral-lejtnant Bashkim Jashari,

Shkëlqesi ambasadorë e përfaqësues diplomatik të vendeve mike,

Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit,

Të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës çlirimtare,

Të nderuar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Të nderuar partnerë të organizatave ndërkombëtare dhe vendore,

Të dashur qytetarë të Republikës,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Si në çdo mars, ne jemi këtu në një nga vendet më të duhura për kujtimin dhe kuptimin e Epopesë së UÇK-së. Ky vend mban emrin e duhur dhe njerëzit e duhur. Në një vend çlirimtarësh, ushtria është vendi i drejtë për ta përkujtuar Epopenë.

Ne e njohim historinë tonë. Ne e vlerësojmë historinë tonë, sepse ajo është e dendur në emra dhe në vepra. Ne e nderojmë historinë tonë sepse e njohim në tërësinë e shoqërisë, ngado ku shkojmë nëpër botë me historinë tonë në zemër, brenda çdo pragu në familje tona këtu e në mërgatën tonë kudo atje që ndodhet. Ne jemi shumë sepse bartim në mendje emrat e shquar. Secili është më shumë se vetvetja, e ajo që jemi më shumë se vetvetja, na bën të gjithëve bashkë. Kjo na jep besim e besë, jetë dhe shpresë. Shumë nga ju janë bij të dëshmorëve e të luftëtarëve, ose të qëndrestarëve nëpër burgjet jugosllave e serbe.

Të nderuara ushtarake dhe ushtarakë,

tani epoka po flet ndryshe. Së pari sepse ne jemi shtet i pavarur dhe kemi ushtrinë tonë. Ne jemi shteti i një populli gjithnjë liridashës dhe mbrojtës i kampit të drejtësisë, shteti i një shoqërie që synon zhvillimet perëndimore e demokratike të lirive. Ne jemi pjesë e një kombi që mbron me ushtrinë e vet idenë dhe praktikën e drejtësisë dhe të lirisë. E nuk ka në këtë jetë njerëzore lavd më të madh se qëndrimi nga ana e drejtësisë dhe lirisë.

Së dyti, sepse epoka dhe vetëdija botërore po ndryshojnë. Po kuptohet ngado në kancelaritë e fuqishme se ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjell kurrë paqen, por të kundërtën e saj, korruptimin e shoqërive dhe luftën mes popujve. Paqja dhe padrejtësia nuk mund të bashkëjetojnë.

Paqja duhet të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë për t’i mundësuar popujve të nxjerrin më të mirën e tyre. Ju duhet ta shihni e vlerësoni veten si një trup e një mendje, si një ushtri që i është shtuar shoqërive që mbrojnë demokracinë dhe paqen. Ne i mbahemi një ideali të kulluar të Epopesë dhe të Jasharëve. E kush i mbahet një ideali të kulluar del gjithnjë fitues. Kjo është fryma e Epopesë së UÇK-së. E për këtë duhet të jemi të gjithë krenarë dhe të dijshëm. Të dijshëm, kjo është deviza: guximi është trimëri dhe dije. Edukimi i ushtarakut duhet të jetë i plotë, duhet të jetë guxim. Sepse ushtaraku mbron një popull të tërë. Ushtaraku është shprehja e mbrojtjes së ndërgjegjshme të vizionit të një populli të tërë, në të drejtën e tij të gjithkohshme. Aq më shumë kur populli i përket një shoqërie dhe shteti nga ana e kampit të drejtësisë e demokracisë.

Të nderuar ushtarakë,

ju jeni shprehje e qartë e seriozitetit tonë në arenën ndërkombëtare.

Skena globale do të na ofrojë sërish e gjithnjë situata krizash dhe shtete të korruptuar. Ne duhet t’i ofrojmë skenës globale guxim dhe ndershmëri. Sepse ky është shërbimi ynë i vetëm për të ardhmen tonë shtetërore dhe paqen e përgjithshme. Sa më shumë ofrojmë sjelljen tonë cilësore institucionale dhe shtetërore, aq më shumë aleancat do të jenë të qëndrueshme dhe bindëse.

Shtetet evropiane, në kontinentin ku ne përkasim, po e kuptojnë rrezikun më qartë se kurrë. Aleanca më e madhe ushtarake e historisë po ngjallet në tema dhe në strategji. Ne po marrim pjesë aktivisht në këtë kahje. Synimi ynë për anëtarësim në NATO është bërë i qartë publikisht prej qeverisë sonë dhe po bëjmë hapa të përditshëm drejt cakut. Ky synim është shpallur më shumë se kurrë me mbështetjen e hapur qeveritare për modernizimin dhe rritjen e ushtrisë sonë.

Ushtrinë të cilën e kemi më të fortë se kurrë. Në 2023, buxheti për mbrojtjen ishte më i larti ndonjëherë, mbi 200 milionë euro, apo më shumë se 2% e Bruto Produktit Vendor që është kriter i NATO-s.

E kemi rritur numrin e ushtarëve duke i shtuar 1852 ushtarë të rinj në dy vitet që shkuan dhe 600 të tjetër i kemi paraparë për këtë vit. Investimet në armatim po ashtu i kemi rritur, madje për gati trefish. Jemi pajisur me Dronë Luftarakë Bayraktar, e po pajisemi edhe me sistemin raketor antitank “Javelin”, ndërkaq trajnimet jashtë vendit për juve ushtarakë të dashur i kemi katërfishuar.

Rritja e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë prioriteti i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes edhe këtë vit, krahas bashkëpunimit ndërkombëtar me miq, partnerë e aleatë.

Të nderuar të pranishëm, të dashur ushtarakë,

Një shtet ka domosdoshmërinë e diplomacisë, por edhe të ushtrisë së tij. Rasti i Ukrainës ia ka zbuluar tërë Perëndimit faktin e thjeshtë. Degjenerimi i shoqërive mund të marrë përmasa diktaturash duke e humbur mundësinë e dialogut të bazuar mbi vlera. Dialogu bëhet mbi të njëjtat vlera, parime dhe besime në njerëzim. Ne e dimë se demokracia dhe triumfi i saj nuk ka nevojë jetike vetëm për harmoninë ekonomike, por edhe për harmoninë e parimeve politike, demokratike. Asnjë vonesë në rrafshin e parimeve politike të demokracisë nuk mund të zgjidhet me shkëmbime tregtare dhe kontrata biznesi.

Demokracia nuk mbrohet nga miqësitë tregtare dhe financiare me shtetet jo-demokratike. Sepse vjen një ditë dhe shtetet autokratike dhe oligarkike nuk e përdorin pasurimin ekonomik për mirëqenien e popujve të vet, dhe e përdorin atë për kërcënimin e popujve të tjerë. Ne kemi ditur gjithnjë dhe e kemi thënë vazhdimisht se paqes i duhet shërbyer përditë. Vigjilenca e parimeve dhe mbrojtja e virtyteve të institucioneve demokratike është punë e përditshme e të gjithë neve, e secilës dhe e secilit prej nesh.

Ne shpresojmë dhe besojmë fuqishëm se shtetet më të fuqishëm të Perëndimit, tashmë e kanë kuptuar se duhet ta mbrojnë me çdo kusht demokracinë dhe paqen, drejtësinë dhe lirinë. Dhe në fushën e luftës për liri dhe në paqe me demokraci ne jemi model. Emri i kazermës suaj e dëshmon më lavdishëm se kurrë ndërmarrjen tonë të përbashkët.

Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, familjes Jashari, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve të kombit dhe të gjithë mbrojtësve të drejtësisë, të hershëm dhe të tanishëm, të vdekur e të gjallë!

E nderimin më të lartë: për atdheun dhe ushtrinë tonë!

Ju faleminderit!