20:57 / E Mërkurë, 17 Gusht 2022 / AR

Kurti pas takimit me Escobar dhe Lajçak: Dëshirojmë marrëdhënie reciproke

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sonte është takuar me emisarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me të dërguarin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Kurti tha se ky ishte një takim përgatitor për çështjet që do të diskutohen nesër.

“Mirë shkoj takimi, ishte takim përgatitor për çka zhvillohet nesër. Janë dy tema elementare, ajo e kornizës së përgjithshme për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe tjetra ka të bëjë me çështjet aktuale, ku pritet të trajtohen gjitha marrëdhëniet bilaterale”, ka thënë Kurti për Kanal 10.

Ai tha se “dëshirojmë marrëdhënie reciproke”.

I pari i vendit foli edhe për lirinë e lëvizjes, ku tha se për të pasur liri të lëvizej duhet të ketë vetëm rrugë legale, ato ilegale duhet të mbyllen.

“Për të pasur liri të lëvizej duhet të ketë vetëm rrugë legale, ato ilegale duhet të mbyllen… Sa i përket vendkalimeve kufitare po e bëjmë atë që Serbia e bën tash e 11 vjet”, ka shtuar ai.

Ai tha se vendimi i qeverisë së vendit është sovran, dhe se janë marrë vesh edhe me partnerët ndërkombëtarë  që më 1 shtator nis lëshimi i dokumenteve të identifikimit.

“S’kemi qëllime të njëanshme dëmtuese, por mendojmë që reciprociteti është për marrëdhënie paqësore”.

Ai po ashtu tha se askush nuk mund ta kufizojë  policinë e Kosovës në luftimin e krimit.