14:22 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

Kurti për vdekjen e aktivistit: Ne fituam, në Prizren, falë punës së palodhshme të Dodës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkruar një telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvzjes Vetëvendosje, Hysni Hyseni.

Kurti ka treguar se gjatë kohës sa ishte sëmurë Hyseni, e kishe vizituar disa herë.

Ai, po ashtu ka thënë se ishte një aktivist i dalluar i LVV-së.

“Ndryshimi në Prizren me fitoren e Mytaher Haskukës në vjeshtën e vitit 2017 do të ishte i pamundur pa punën e palodhshme të Dodës, i cili mua asokohe m’i mësoi të gjitha çajtoret e Kurillës dhe jo vetëm”, ka thënë ai.

Kurti përmendi edhe lëndimin që mori Hyseni në protestat e 10 shkurtit 2007.



Postimi i plotë:

Kur e vizitova para dhjetë ditësh ishte rëndë por kishte vetëdije, të nesërmen kishte përjetuar infarktin e parë, kurse dy ditë më vonë e gjeta në komë të intubuar.

Doda vdiq sot. Në QKUK në Prishtinë, në repartin intenziv të Klinikës Infektive, vdiq në mëngjes Hysni Hyseni – Doda, aktivist i dalluar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. 


As një vit nuk ishte më i moshuar se unë, por askush, e as unë, nuk mund të mateshim me të për nga aktiviteti i dendur që bënte. 


Në protestën e 10 shkurtit 2007 ku u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, u patën plagosur e lënduar mbi 80 qytetarë, e më së rëndi pikërisht Hysni Hyseni nga Prizreni që humbi syrin e djathtë, Mustafë Nerjova nga Lubishda e Hasit që edhe sot e kësaj dite ka një pjesë plastike në kokë në vend të kafkës që ia çanë me plumb dhe Zenel Zeneli nga Bardhoshi i Prishtinës i cili ende i ka dy plumba në trup njërin shumë afër zemrës.Ndryshimi në Prizren me fitoren e Mytaher Haskukës në vjeshtën e vitit 2017 do të ishte i pamundur pa punën e palodhshme të Dodës, i cili mua asokohe m’i mësoi të gjitha çajtoret e Kurillës dhe jo vetëm.

Ka lënë pas vetes gruan, katër vajza dhe një djalë.

Dhimbja që ndjejmë është e madhe, pikëllimi që na ka mbërthyer është i rëndë, humbja që përjetuam është e vështirë.


Kujtimi ynë për Dodën do të jetë përjetë i gjallë, porsi gjallëria e tij jetësore.