19:53 / E Diele, 07 Nëntor 2021 / AR

Kurti për vizitë në Gjermani sapo të formohet qeveria e re

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i interesuar të shkojë për një vizitë në Gjermani, sapo atje të formohet qeveria e re.

Ai thotë se Gjermania është partneri ynë tregtar kryesor dhe se po i shton investimet në Kosovë, raporton Indeksonline.

Unë jam i interesuar që sa më parë kur të formohet qeveria e re gjermane të kem një vizitë atje. Gjermania është partneri ynë tregtar kryesor, po i shton investimet në Kosovë dhe Gjermania është vendi ku e kemi mergatën më të madhe dhe që sjell sasinë më të madhe të remitancave. Mbi 42 përqind e remitancave që vijnë në Kosovë në baza vjetore, vijnë nga bashkatdhetarët tanë në Gjermani“, tha ai për DW.

Tutje, Kurti thotë se bashkëpunimi me Gjermaninë mund të sjellë veç gjëra të mira.

“Kur kemi parasysh që Gjermania paraqet motorin e ekonomisë evropiane, padyshim që intensifikimi i bashkëpunimit tonë mund të sjellë veҫse gjëra të mira. Me këtë rast nuk duhet harruar që kancelarja Merkel që tashmë ndodhet në fund të mandatit dhe të karrierës së saj politike siҫ e ka paralajmëruar, është mbase politikania kryesore e cila i ka kundërshtuar sukseshëm tendencat për ndarje të Kosovës nën petkun e të ashtuquajturit shkëmbim territorial dhe ka dhënë një kontribut të ҫmuar në vitet 2017-2018 dhe 2019“, u shpreh Kurti./Indeksonline/