11:32 / E Martë, 17 Maj 2022 / GF

Kurti takohet me drejtues të shoqatës së bizneseve “Automation Alley”

Në Detroit të Michigan, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim me shoqatën e bizneseve “Automation Alley”. Lidere në mesin e shoqatave të bizneseve për teknologji dhe prodhim, “Automation Alley” bën lidhjen ndërmjet industrisë, akademisë dhe qeverisë për të përshpejtuar inovacionin dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të Michigan-it juglindor.

Aty kryeministri Kurti u takua me Drejtorin e Partneriteteve Strategjike Globale, Noel Nevshehir me të cilin diskutuan për Industrinë 4.0 apo siç njihet ndryshe, revolucionin e katërt industrial. Industria 4.0 fokusohet në ndërlidhjen, automatizimin, mësimin makinerik dhe shkëmbimin e të dhënave në kohë reale në industrinë e prodhimit.

Kryeministri Kurti prezantoi para tyre mundësitë për investime në Kosovë dhe për potencialin në rritje të vendit tonë në Teknologjinë e Informacionit. Ai i ftoi për vizitë në Kosovë për të hulumtuar nga afër mundësitë që tregu i Kosovës ofron.