11:32 / E Enjte, 16 Maj 2019 / indeksADMonline

Kurti: Ukshin Hoti nuk i mori asgjë vendit, por i dha krejt çka pati!

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka kujtuar Ukshin Hotin në 20 vjetorin e rrëmbimit.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se me kalimin e viteve, mungesa për Hotin po bëhet më e madhe, transmeton Indeksonline.

Kurti ka shkruar se Ukshin Hoti e ka dashur shtetin si republikë, popullin si kryengritje, lirinë si zhvillim dhe demokracinë si mënyrë.

Sipas tij, Hoti nuk i mori asgjë vendit tonë, i dha krejt çka pati, bëri krejt çfarë mundi. Ai thoshte çka mendonte dhe bënte çka thoshte.

Më poshtë postimi i Kurtit:

Në 20 vjetorin e rrëmbimit

Sa më shumë që kalojnë vitet aq më shumë na mungon Ukshin Hoti. Na mungon secili tipar i tij: na mungon Ukshin Hoti si politikan intelektual e veprimtar patriot, na mungon Ukshin Hoti si diplomat i kulturuar e profesor shkencëtar, na mungon Ukshin Hoti si tribun prijës e busullë etike.

Ndërrimi i qeverisë në Kosovë e shtoi sasinë e qeveritarëve por jo edhe cilësinë e qeverisjes. Kurrë shteti ynë nuk ka qenë më i kapur sesa sot. Sepse kurrë zyrat e larta të shtetit nuk kanë pasur më shumë bashibozukë mujsharë dhe lakmiqarë tërpijanë që e kanë bërë shtetin feud e Kosovën plaçkë.

Ukshin Hoti e ka dashur shtetin si republikë, popullin si kryengritje, lirinë si zhvillim dhe demokracinë si mënyrë. Nuk i mori asgjë vendit tonë, i dha krejt çka pati, bëri krejt çfarë mundi. Ai thoshte çka mendonte dhe bënte çka thoshte.

Tri herë i burgosur politik. Nuk ndalej. Ai jetoj për neve. Tre librat do t’i jetojnë edhe pas neve.

Te “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, “Lufta e ftohtë dhe detanti” si dhe “Bisedë përmes hekurash” ku kemi përgjigjet e Ukshin Hotit në 13 pyetjet e Ismail Kadaresë, e gjejmë orientimin e duhur për të ardhmen dhe shpjegimin e nevojshëm për veten tonë.

Librat e Bacës Ukë janë. Leximi i tyre nga pushtetarët mungon.

Ukshin Hoti është, qeveria mungon. /Indeksonline/