14:43 / E Enjte, 15 Qershor 2023 / S Z

Kurti viziton familjet e tre policëve që u rrëmbyen nga forcat serbe

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, tre policëve të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe në kufi me Serbinë e në brendi të territorit të Republikës së Kosovës. 

Në Mitrovicë, Kryeministri u mirëprit nga familjarët e Shemë Mustafës, përfshirë të vëllanin e tij që ishte po ashtu polic kufitar. Familjaret vlerësuan përkrahjen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga populli, që po ua lehtëson barrën.

Në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, ai u prit nga familjarët e Beqir Sefës, në mesin të cilëve ishte dhe djali i tij, që po ashtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe i angazhuar në Task Forcën për veri. 

Kryeministri i njoftoi familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer. Ata e falënderuan kryeministrin për vizitën, si dhe për qëndresën e tij.

Në fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, kryeministri Kurti pastaj vazhdoi me vizitën te familja e Rifat Zekës. Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me familjen. 

Kryeministri ritheksoi se Republika e Kosovës është në të drejtën e saj dhe se dëshmitë që posedojnë institucionet e vendit dokumentojnë se zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin brenda territorit të Republikës. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës, në atë pjesë ku më herët janë mbyllur 16 rrugë ilegale.

Familjarët u shprehën falënderues për vizitën dhe kujdesin e treguar, dhe theksuan besimin e plotë në institucionet e Republikës së Kosovës.