19:57 / E Hënë, 29 Janar 2018 / indeksADMonline

Kusari-Lila: Qeveria fajtore për vonesën e demarkacionit

Ndonëse Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike e ka dorëzuar materialin tek Kryesia e Kuvendit me 16 janar, ai ende nuk po futet në rendin e ditës në mbledhjet e kryesisë.

Fajtor për këtë konsiderohet të jetë koalicioni qeverisës.

Kështu së paku ka deklaruar deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila në një prononcim për Indeksonline.

Ajo ka thënë se Qeveria është fajtori kryesor për vonimin e demarkacionit dhe për izolimin e qytetarëve.

Sipas saj, çështjet e mëdha nuk kanë qenë pjesë e diskutimeve kur është krijuar pushteti, vetëm ndarja e pozitave.

“Koalicioni qeverisës e shoh si fajtor në përgjithësi për këtë vonim dhe këtë situatë në të cilën gjendet Kosova në veçanti, për izolimin e tërësishëm që po i ndodhë vendit, që çdo ditë e më tepër po vërehet kjo edhe në raport me udhëheqësit e shtetit, ndërkaq me popullin ka ndodhur më herët, për arsye se ekziston mungesë e guximit dhe vizionit për të dalë nga kjo gjendje. Mbi të gjitha kemi kuptu që asnjë marrëveshje në raport me temat e mëdha nuk është arritë mes koalicionit qeverisës, kur është negociuar pushteti, por vetëm ndarja e posteve”, tha Kusari-Lila.

Ajo, poashtu ka thënë se deputetët e pozitës janë duke u përçarë në raport me pozicionin e tyre sa i përket demarkacionit.

“Pozita po përçahet, rrjedhimisht deputetë të partive në pushtet në raport me pozicionin e tyre për demarkacionin. Populli është duke e vuajtur mjaftueshëm pasojat jo vetëm të demarkacionit por të shumë vendime të gabuara që koalicioni qeveritar ka sjellë. Ndërsa sa i përket demarkacionit kanë qenë të qartë edhe BE edhe SHBA për pasojat, ne jemi i vetmi vend që nuk e kemi lirinë e lëvizjes, por edhe të problemeve tjera që sa po vijnë e po grumbullohen”, shtoi Kusari-Lila.

Kujtojmë se demarkacioni vazhdon të mbetet një ndër problemet më të mëdha të vendit, i cili është kusht për liberalizimin e vizave./Indeksonline/