20:16 / E Mërkurë, 15 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Kuvendi pasiv, shkak fushata zgjedhore

Për 66 ditë, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur vetëm 4 seanca plenare.

E kjo gjë nuk ka mbetur pa u vërejtur edhe nga ndërkombëtarët, të cilët kishin kritikuar këtë gjendje të Parlamentit të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje Indeksonline ka kontaktuar edhe një nga deputetet e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi.

Sipas deputetes, Kuvendi ka ngecje të punës si edhe shumë institucione tjera të vendit. Madje siç thotë ajo, është fatkeqësi që interesi partiak të jetë mbi interesat e shtetit, e që po vazhdon edhe në këtë mandat.

“Sigurisht që ka plotë çështje me prioritet dhe nevojë për të bashkërenduar veprimet ndërinstitucionale sidomos në Qeveri dhe Kuvend. Kjo nuk po ndodhë sepse siç u pa edhe në seancat, ato të paktat që u mbajtën Kryeministri nuk ka as dije as vullnet për  të përmbushur obligimin kushtetues kundrejt Kuvendit. Pra është mazhoranca ajo që duhet të sigurojë korum dhe është ekzekutivi që duhet të dorëzoj në kohë projektligje” ka  thënë Kadaj-Bujupi.

Madje ajo ka thënë se është çështja e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, është vonuar dhe kërkon veprime konkrete nga ekzekutivi  i vendit për ta proceduar tutje.

“Por nga performanca që po e shohim nga kjo qeveri, nuk kam besim që ndonjë çështje e rëndësishme do të rezultojë me sukses. Kjo qeveri  e ka nisur keq dhe nuk mund të presim ecuri të mbarë të saj”, ka thënë ajo.

Ndërkohë duhet përkujtuar që mos-mbajtja e seancave të rregullta është lidhur edhe me çështjen e fushatës zgjedhore për zgjedhjet komunale në vend, e që puna e rregullt e Parlamentit pritet të vazhdojë pas balotazhit./Indeksonline/