13:17 / E Premte, 06 Prill 2018 / indeksADMonline

Ky është filmi i parë që do të shfaqet në kinemanë e Arabisë Saudite

Në Arabinë Saudite do të hapet kinemaja e parë (pasi ishte mbyllur 35 vite më parë), ndërsa do të shfaqet filmi “Black Panther”.

Filmi me superheroin është duke thyer rekorde shikueshmërie dhe përfitimesh në gjithë botën, ndërsa tash do ta kenë mundësinë ta shohin edhe fansat sauditë.

Tashmë është arritur marrëveshja me rrjetin e kinemave ACM për hapjen e 40 kinemave në 15 qytete saudite në pesë vitet e ardhshme.

Sauditët janë duke e zbatuar planin “Vizioni 2030” për kthimin e argëtimit në kuadër të reformave ekonomike dhe shoqërore, në bazë të vendimit të princit Mohammed bin Salman.

Vendi konservativ mysliman ka pasur kinema në vitet e shtatëdhjeta, mirëpo ato u mbyllën nga presioni i klerikëve radikalë islamikë, raporton AFP.

Sauditët janë dashamirës të kulturës perëndimore, mirëpo ndjekja e ngjarjeve të huaja apo shikimi i filmave hollivudianë u lejohet vetëm nëpër shtëpitë e tyre, përmes telefonave celularë apo programeve satelitore.

Shfaqja e “Black Panther” do të nisë më 18 prill me një premierë të madhe në qytetin e Riadit.