11:49 / E Mërkurë, 25 Tetor 2023 / L K

La fushën e lojës pas problemeve fizike, Ancelotti zbulon gjendjen e Bellingham para El Clasicos

Real Madrid doli me tre pikë të plota nga Portugalia ku u përballë me vendasit e Bragës në një sfidë të vlefshme për grupet e Champions League. “Los Blancos” triumfuan me shifrat 1-2 teksa një prej golave e shënoi i zakonshmi Jude Bellingham. Mirëpo, britaniku shqetësoi jo pak tifozët spanjollë duke qenë se u largua nga fusha në minutën e 89-të si pasojë e një shqetësimi fizik.

Përpara është El Clasico ndaj Barcelonës të shtunën dhe Real Madrid kërkon ta ketë me patjetër yllin e skuadrës për sfidën me rivalët e përjetshëm katalanas. Dhe në fakt ishte trajneri Carlo Ancelotti që u shpreh se 20-vjeçari nuk ka asgjë serioze dhe se do të jetë gati për ndeshjen e së shtunës.

“Bellingham është shumë mirë, muskujt e tij ishin pak të ngarkuar edhe sepse fusha ishte shumë e butë. Por, e theksoj se nuk bëhet fjalë për asgjë serioze, Bellingham do të rikuperohet në kohë. Është pak i lodhur ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës, por është normale dhe nuk ka asnjë problem”, u shpreh Ancelotti.

Kujtojmë se ndeshjen e së shtunës mes Barcelonës dhe Real Madrid do të mund ta ndiqni në SuperSport 2 duke nisur nga ora 16:15.