13:10 / E Enjte, 30 Qershor 2022 / AR

Lajçak: Vendimi i Kosovës ka ndryshuar situatën

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës për targat dhe letërnjoftimet ka ndryshuar temat dhe planet e vizitës së tij.

Ai nuk ka dashur të komentojë kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton N1, transmeton Indeksonline.

“Kemi pasur diskutim shumë serioz mbrëmë për situatën dhe sigurisht duhet të shikojmë për zgjidhje nëpërmjet dialogut dhe jo konfrontimeve”, ka thënë Lajçak në Beograd.

Ai ka thënë se tash është situatë e re që ia ka ndryshuar planet e vizitës në rajon.

“Kam ardhur në rajon për ta përgatitur takimin e ardhshëm të liderëve dhe të flas për progresin dhe normalizimin e raporteve dhe tani duhet të zgjidhim këtë situatë. Nuk duhet të lejojmë të ketë krizë”, ka thënë ai./Indeksonline/