21:15 / E Diele, 02 Tetor 2022 / C E

Lajmi i keq për Milan dhe Belgjikën, ja kur mund të kthehet nga dëmtimi Saelemaekers

Alexis Saelemaekers do të duhet të qëndrojë për disa javë jashtë fushës së blertë, madje sipas njoftimit të klubit të Milan për gjendjen e belgut mësohet se ai me shumë mundësi do të humbasë edhe Botërorin e Katar 2022.

Dëmtimi që mori në ndeshjen ndaj Empoli, e cila u luajt të shtunën dhe përfundoi me fitoren 1-3 të “Djallit”, është shumë i rëndë dhe do e ndalojë për disa kohë sulmuesin.

Këtë të dielë përmes një deklarate zyrtare, Milan bën me dije se Saelemaekers dëmtoi rëndë gjurin e majtë dhe tashmë do i duhet shumë kohë për t’u rikuperuar.

“Alexis Saelemaekers pësoi një traumë në gjurin e tij të majtë gjatë ndeshjes me Empolin. Testet e kryera këtë mëngjes zbuluan një dëmtim të pjesshëm në ligamentin kolateral medial. Lojtari do të ndjekë trajtim të gjatë.”-njofton Milan.

Saelemaekers u detyrua të linte fushën e lojës pas dëmtimit në gju dhe vendin e tij e mori Krunic. Pak minuta më vonë ishte radha e Calabria-s, i cili po ashtu kërkoi zëvendësim, duke i lënë vendin e tij Kalulu-s, me Milan që mori goditje të një pas njëshme.

Kohët e rikuperimit të belgut llogariten në rreth dy muaj. Prandaj, teorikisht, Saelemaekers do të kthehet në fushë jo më herët se fillimi i dhjetorit.

Prandaj, me përjashtim të një rikuperimi rekord, sulmuesi i Milanit do të humbasë Kupën e Botës me Belgjikën, e cila me siguri do ta grumbullonte për ta pasur në skuadër në kompeticionin që do të zhvillohet në Katar midis nëntorit dhe dhjetorit.

Jo vetëm Kupën e Botës, Saelemaekers ka shumë të ngjarë të humbasë pjesën tjetër të ndeshjeve të Milan në 2022, përkatësisht ato të Serisë A kundër Juventusit, Verona, Monza, Torino, Spezia, Cremonese dhe Fiorentina si dhe ato të Champions League ndaj Chelsea-t, Salzburgut dhe Dinamo Zagrebit.