17:09 / E Premte, 10 Dhjetor 2021 / MSH

Lansohet aplikacioni për informacione mbi COVID dhe vaksinat

Zyra e OBSh-së dhe e UNICEF-it në Kosovë kanë lansuar aplikacion të përbashkët për COVID-19, të quajtur HealthBuddy+.

Aplikacioni HealthBuddy+ është një mjet digjital interaktiv në internet që ofron qasje në informata të përditësuara dhe të bazuara në prova mbi COVID-19, duke përfshirë vaksinimin. HealthBuddy+ tashmë është në dispozicion në gjuhën Shqipe dhe Serbe falë mbështetjes së Zyrës së OBSH-së në Prishtinë.

Aplikacioni është zhvilluar nga zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën (OBSH/Evropë) dhe Zyra Rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore (UNICEF ZREAQ), dhe është krijuar për të mbështetur qasje në informata të besueshme për COVID-19. I njëjti aplikacion është i disponueshëm për të gjitha vendet e rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore në gjuhët e tyre lokale.

HealthBuddy+ është ne dispozicion në ueb, dhe si aplikacion celular (në dyqanet e aplikacioneve Apple dhe Google Play) dhe ka disa veçori. Në versionin e uebit, përdoruesi mund të ndërvepron me chatbot për të marrë përgjigje për COVID-19.

Nëpërmjet aplikacionit celular HealthBuddy+, përdoruesit mund të: bëjnë pyetje për COVID-19 në chatbot dhe të marrin përgjigje të verifikuara të menjëhershme; raportojnë thashethemet që qarkullojnë në komunitet; dhe ndajnë mendimet dhe përvojat mbi përgjigjen ndaj COVID-19 duke
përdorur funksionin e sondazheve.

I gjithë informacioni i disponueshëm në HealthBuddy+ nga përdoruesit kontrollohet nga ekipi i ekspertëve nga OBSH, dhe të gjitha informatat dhe provat e reja i shtohen rregullisht bot-it, bazuar në pyetjet dhe të dhënat përkatëse.