20:54 / E Premte, 14 Janar 2022 / OSH

Latifi dhe Manastirliu pajtohen për themelimin e një grupi monitorues për implementimin e marrëveshjeve aktuale

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi ka qëndruar sot për vizitë zyrtare në Shqipëri, e para jashtë Kosovës në këtë funksion, ku është pritur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, me të cilën ka biseduar për mundësitë dhe fushat e bashkëpunimit dypalësh mes të dyja vendeve.

Sipas një njoftimi të ministrisë, në takim u konstatua se tashmë bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë është konsoliduar, duke hapur kështu rrugën për implementimin konkret të të gjitha aktiviteteve të përbashkëta.

Me këtë rast, ministrat Latifi dhe Manastirliu kanë vizituar hapësirat e reja të Spitalit Pediatrik të QSUT dhe gjithashtu Qendrën Kombëtare të Telemjekësisë, krijimi i së cilës është inicuar dhe krijuar nga vetë ministri Latifi në vitin 2007.

“Gjatë takimit, të dyjat palët shfaqën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në interes të forcimit të sistemeve shëndetësore dhe të shërbimeve shëndetësore, shkollimit specialistik dhe janë pajtuar për themelimin e një grupi të përbashkët monitorues për implementimin e marrëveshjeve aktuale dhe atyre që do të ndërmerren në vijim. Ministri Latifi u shpreh tejet mirënjohës për pritjen e përzemërt dhe produktive nga takimi i sotëm, dhe në këtë drejtim të dy palët potencuan besimin se gjatë muajve në vijim do të angazhohen seriozisht në implementimin e marrëveshjes ekzistuese të bashkëpunimit dhe plotësimit të tyre me aktivitete të tjera, të cilat do të rezultojnë me rritjen e nivelit të kujdesit shëndetësor të qytetarëve nga të dyja anët e kufirit”, thuhet në njoftim.