23:00 / E Shtunë, 08 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Lazio lëshon pikë ndaj Sampdorias në “Olimpico”

Tjetër zhgënjim për Lazion në Serinë A, këtë herë në Romë kundër Sampdorias, që edhe pse me një lojtar më pak, arriti të shënonte pas gati 100 minutave lojë, duke u mohuar kënaqësinë e fitores bardhekaltërve.

Do të kishte qenë një fitore e bukur dhe qetësie për Simone Inzaghin, i vënë në shënjestër pas një serie të gjatë barazimesh, por nuk ishte e thënë që Strakosha me shokë t’i gëzoheshin fitores me përmbysje në kohën shtesë.

Sampdoria kaloi ne epërsi që në minutën e 28-të me Quagliarelën dhe u desh të vinte minuta e 79-të që Acerbi të barazonte rezultatin. Në minutat shtesa ndodhi gjithçka. Bereszynksi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë ekipin gjenovez me një lojtar më pak.
Ciro Immobile shënoi golin e dytë për Lazion në minutën e 6-të shtesë me 11-metërsh, por ku vendësit ishin në kulmin e ekzaltimit, një shpërqendrim i vogël u kushtoi rëndë.

Koënacki bëri “torren” për Saponarën, që shfrytëzoi daljen e Strakoshës me një parabël të zgjuar, duke barazuar takimin thuajse në minutën e 10-të shtesë. Për Lazion ky ishte barazimi i katërt radhazi, duke humbur shumë terren me skuadrat kryesuese, madje Milani mund të përfitojë duke u shkëputur me 3 pikë nëse fiton me Torinon.