19:49 / E Martë, 19 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

LDK e gatshme për rinumërim votash në Istog

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se qytetarët e Istogut i besuan projektit të Haki Rugovës edhe për një mandat tjetër qeverisës.

Këto deklarime Zemaj i dha sot në Info Magazine të Klan Kosovës, ndërsa po komentonte rivotimin për zgjedhjet lokale të Komunës së Istogut.

”Ka qenë një garë e vështirë duke qenë se ka qenë parti rivale AAK bashkë me parti të tjera, që janë bashkuar për ta rrëzuar LDK-në, pra Haki Rugovën”, ka thënë ai.

”Pra rivotimi ishte i padrejtë, për shkak se manipuluan me vota, por kjo ka treguar se qytetarët e Istogut kanë besuar edhe për një mandat tek kandidati ynë”, është shprehur Zemaj.

”Është parë që qytetarët i kanë besuar Haki Rugovës, edhe për një mandat tjetër”, ka theksuar ai.

Zemaj po ashtu deklaruar se ky subjekt partiak është i gatshëm edhe të shkojë në rinumërim të votave për komunën e Istogut, nëse pala tjetër ka ndonjë vërejtje apo ankesë rreth rezultateve të fundit të cilat shpallën kandidatin e tyre Haki Rugovën fitues për postin e kryetarit të Istogut.

”Neve nuk mund të reagojmë në situata të tilla, por është e drejtë ligjore secili kandidat ka të drejtë ankesën e tij apo vërejtjen”, ka thënë ai.

”Pothuajse nga e gjithë koha prej hapjes së kutive e deri në mbylljen e tyre, asnjë ankesë nuk është adresuar”, është shprehur Zemaj.

”LDK është e gatshme të hap kutitë, e gatshme për rinumërim”, ka thënë ai.

”LDK gjithnjë ka qenë e gatshme për transparencë ndaj qytetarëve. Ne besojmë që kjo është cështje e mbyllur duhet t’i thërras mendjes edhe partia kundërshtare. Jam çuditur që pse gjithë këto struktura të shkojnë në Istog kundër LDK-së”, ka theksuar Zemaj.