16:31 / E Mërkurë, 03 Tetor 2018 / indeksADMonline

Lekaj nënshkruan memorandum mirëkuptimime KDI-në për qasje në dokumente publike

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi me Institutin Demokratik të Kosovës, për lejimin e qasjes në dokumentet publike në ministrinë që ai drejton.

Lekaj si nikoqir i ceremonisë së nënshkrimit theksoi se kjo marrëveshje lehtëson qasjen në dokumentet publike duke u bazuar në ligjet aktuale.

“Ne si Ministri e Infrastrukturës jemi të hapur për të qenë transparent para taksapaguesëve të Kosovës por edhe të gjitha institucioneve të tjera, që shfaqin interesim për kontratat dhe dokumentet tjera brenda ministrisë. Nënshkrimi i këtij memorandimi është njëra nga dëshmitë, se gjithë ajo çka është për publikun dhe nuk sanksionohet me ligj, do të jetë e hapur dhe e qasshme për të gjithë“ , theksoi Lekaj.

Kurse, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Ruari O’Conell, si sponzorues i këtij memorandumi tha se e përshëndet një iniciativë të tillë, duke e përkrahur projektin, për monitorimin e kontratave të prokurimit me interes të veçantë për qytetarët kosovarë.

Ky projekt synon që të rritë mbikëqyrjen nga shoqëria civile ndaj institucioneve të Kosovës, në fushat e ndryshme si në një demokraci të shëndoshë.

Memorandumi në fjalë e nënshkruan edhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli, drejtori i Autoritetit Qendror të Prokurimit Behxhet Rrukiqi, Faruk Hajrizi nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe Ismet Kryeziu nga KDI, si implementues të projektit.