19:18 / E Mërkurë, 24 Tetor 2018 / indeksADMonline

Lëvizjet në qeveri, paqëndrueshmëri e politikës

Shkarkime e emërime të ndryshme e përcjellën Qeverinë Haradinaj gjatë këtij muaji.

I fundit që u largua nga posti i ministrit ishte, Bejtush Gashi i MPB-së derisa në vend të tij erdhi Ekrem Mustafa i Ferizajt. Ndërsa këtë javë u lirua nga detyra edhe zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Musa Cena.

Ky i fundit është në paraburgim nën akuzat për korrupsion. Njohësi i çështjeve politike në vend, Azem Vllasi thotë se ndryshimet e tilla flasin për një paqëndrueshmëri të politikës.

“Ndryshimet e shpeshta në funksione të larta qeveritare flasin për një paqëndrueshmëri të politikës, të pazareve të koalicionit qeverisës sipas të cilit partia e koalicionit i ka vendet e caktuara në qeveri, kur do i emëron, kur do i largon ministrat apo zv/ministrat apo njerëzit tjerë, dhe me sistem tonin nuk ka mundësi që kur formohet një qeveri për ndryshime, duhet të ketë kompetenca mandatari- që do të thotë kryeministri, por është partia ajo e cila kur do e tërheq një ministër, kur do e tërheqë tjetrin e partitë i kanë llogaritë e tjera dhe kështu kemi ardhur në një situatë qesharake që në disa ministri, ministrat ndërrohen ka tre-katër herë për një mandat të qeverisjes”, ka thënë ai në një prononcim për Indeksonline.

Sipas tij, gjithë kjo flet për një paqëndrueshmëri, pa koncept të formimit të një qeverie stabile kushdo që të jetë kryeministër.

“Secili partner i koalicionit që e ka marr një ministri të caktur në këtë qeveri i bënë do hesape të brendshme kë me rehatu si ministër. Mendoj se nuk pyetet kryeministri nëse duhet me bë lëvizje apo jo për ndonjë pozitë të caktune, kjo është problem dhe defekti në një koncept të improvizum të formimit të qeverisë dhe qeverisjes”, ka shtuar ai. Ai poashtu ka komentuar edhe numrin e madh të ministrive, e që sipas tij për një vend si Kosova padyshim që janë shumë.

“Kosova si vend që është absolutisht nuk ka nevojë me i pas, 13 deri 15 ministri, por këto që po formohen, po bëhen sipas nevojës së rehatimit të njerëzve të partive. Të njerëzve nga koalicioni qeverisës. Sipas nevojës me i rehatu njerëzit e caktum e jo sipas nevojës të një qeverisje racionale dhe të mirëfilltë”, ka shtuar ai. /Indeksonline/