10:01 / E Martë, 14 Gusht 2018 / indeksADMonline

Ligjëratat kundër radikalizmit në burgje vetëm pas verifikimit të imamëve

Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) është në proces të verifikimit të së kaluarës ndaj 20 imamëve që janë përzgjedhur nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), për të ligjëruar në burgjet e Kosovës kundër radikalizmit që shpie në terrorizëm.

Këtyre ligjëratave iu ka paraprirë një marrëveshje bashkëpunimi mes BIK-ut dhe Ministrisë së Drejtësisë e nënshkruar javë më parë.

Kreu i ministrisë së Drejtësisë, Abelard Tahiri për Indeksonline ka thënë se zbatimi i këtij memorandumi është në proces e sipër dhe aspektet përkatëse që parashihen në të, i takojnë përgjegjësisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Sipas ministrit Tahiri, aktualisht BIK ka filluar procedurat e angazhimit të tyre në ligjërim. “Vlen të theksohet se përzgjedhja e zyrtarëve fetar (imamëve) të cilët do të ligjërojnë në institucionet korrektuese, do të jetë në përgjegjësinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila përcakton paraprakisht kushtet dhe kriteret por edhe mënyrën e angazhimit të zyrtarëve fetar (imamëve)”, ka shtuar Tahiri.

Ai ka thënë se ligjërimet e zyrtarëve fetar (imamëve) do të aprovohen dhe monitorohen nga ana e BIK-ut, krahas programeve të rregullta trajnuese që zhvillohen nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Në zbatim të obligimeve të Ministrisë së Drejtësisë të përcaktuara në Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm 2015-2020, siç e dini, kemi realizuar nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili ka për qëllim bashkëpunimin në mes të Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës për realizimin e rehabilitimit dhe riintegrimit e personave të burgosur sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe përfitues të këtij bashkëpunimi janë të gjithë personat e privuar nga liria, që mbahen në institucionet korrektuese”,ka thënë Tahiri.

Zyrtarë të shtetit dhe analistë të ndryshëm patën deklaruar se është vërejtur prania e radikalizmit në mesin e të burgosurve, madje edhe tek ata të cilët mbajnë dënimin për vepra penale krejtësisht të ndryshme dhe që nuk kanë të bëjnë me terrorizmin. Sipas autoriteteve të Kosovës rreth 316 persona nga Kosova kanë marrë pjesë në konfliktet e Lindjes së Mesme teksa në Kosovë janë kthyer 117 dhe 140 të tjerë besohet se ende janë në zonat e luftës./Indeksonline/