18:18 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Ligji për Paga – Sindikata e Policisë nuk i bashkangjitet grevës nesër

Gjykata Kushtetuese ka vendosur për pezullimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri më 30 mars të vitit të ardhshëm, duke aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit për caktimin e masës së përkohshme, shkruan IndeksOnline

Në një vendim të publikuar të enjten, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Ligji për Pagat të pezullohet menjëherë.

Vendimi është marrë pas kërkesës së Avokatit të Popullit që të pezullohet ligji i ri i cili shkaktoi shumë debate.

Pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji, institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së Ligjit.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës Shaban Tasholli, ka reaguar lidhur me pezullimin e Ligjit të Pagave nga Gjykata Kushtetuese.

Tasholli tha se kjo sindikatë është e pakënaqur me këtë vendim të kësaj gjykate.

Ai i tha IndeksOnline, se kjo sindikatë do të mbajë nesër një mbledhje me këshillin drejtues të saj, ku pritet të vendosin për hapat e tjerë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Nesër kemi ftu këshillin drejtues dhe do ta shqyrtojmë këtë çështje, ne kemi lajmëru për nesër që do i vizitojmë në përkrahje të shenjës së respektit, nesër e kemi këshillin drejtues për hapa të mëtutjeshëm, ne nuk e kemi pritë këtë vendim,jam i bindur që Policia e Kosovë këtë dhjetor do të merrë rrogë me rritje, ne kemi qenë të sigurtë për këtë”, tha Tasholli.

Kujtojmë se deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të këtij viti, kishin miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik. /IndeksOnline/