19:05 / E Hënë, 04 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Limaj vazhdon turin e falënderimit, në Vushtrri thotë se do të jetë flamurtar i luftimit të padrejtësive

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka vazhduar turin e falënderimit për besimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës në përballjen e tij disa vjeçare me padrejtësinë në rastin e njohur si MTPT. Limaj gjatë një vizite bërë degës së Nismës në Vushtrri ka falënderuar banorët e kësaj zone për besimin në të dhe rreshtimin pas Nismës për Kosovën.

“Qëllimi i vizitës është falënderimi për besimin në vazhdimësi. Rreshtimi pas Nismës në momentet më të vështira për mua ka qenë motiv për të vazhduar në kërkim të drejtësisë. Besimi juaj na ka dhënë forcë e vullnet për të kërkuar drejtësi e për të luftuar padrejtësinë. Jam krenar të ju shoh secilit në sy për të iu thënë se ashtu siç kam thënë para 8 vite se njerëzit e ligë u munduan të na stopojnë. Ata nuk patën dije e guxim nuk gjeten rrugë për të na ndalë por provuan me montazha e fabrikime”, ka thënë ndër të tjera Limaj.

Tutje, ai ka thënë se për 7 vite po të ishin në kapacitete të plota do të bëheshin shumë punë të mira. Po të mos e ndalshin të ligët, Limaj ka thënë se do të harrohej rruga Prishtinë- Mitrovicë. Limaj ka thënë se do të jetë flamurtar në mbrojtjen e njerëzve që u bëhet padrejtësi.

“Nisma është kthyer në një shpresë, është e vetmja parti që e mban fjalën dhe fjalët tona vazhdimisht konfirmohen. Askush me shumë se ne nuk ka të drejtë të kërkoj më shumë se ne shtet ligjor. Në vendin tonë duhet të ketë siguri juridike. Do të punojmë për çkapjen e shtetit nga segmente te caktuara dhe unë nuk do të ndalem në këtë drejtim”, ka shtuar Limaj.

Limaj ka folur edhe për Endrit Shalën për të cilin ka thënë se ka qenë shtytësi më i madh i partisë. Ai ka thënë se ka ardhur koha edhe ai të marrë përgjegjësi dhe do të punojë për shtetin.

E kryetari i degës se Nismës në Vushtrri, Avdullah Vojvoda ka thënë se asnjëherë nuk ka dyshuar se Limaj i ka shërbyer vendit dhe me profesionalizëm.

“Disa të liga orkestruan e organizuan spektakle mediale për ta ndalur, por qytetarët e Kosovës asnjëherë nuk hoqën dorë se besuari në ty”, ka thënë Vojvoda.
Ndryshe, Limaj dhe të tjerët u shpallën të pafajshëm para 10 dite nga të gjitha pikat e aktakuzës në rastin e njohur si MTPT./Indeksonline/