13:09 / E Enjte, 12 Maj 2022 / GF

Lirohet luani që mbahej në kafaz në Gjilan

Luani me emrin Gjon, i cili po qëndronte në kafaz në një restorant të Gjilanit, është liruar në hapësirë të jashtme tek Pylli i Arinjve Prishtina.

Pylli i Arinjve Prishtina shkruan se luani tani ka mundësinë për të shijuar hapësirën e jashtme.

“I shpëtuar në fund të muajit mars, Gjoni dalëngadalë po mësohet përsëri të jetojë si një luan! Që kur ka arritur tek strehimorja jonë kujdestarët tanë kanë qenë të angazhuar intensivisht që të përgatisin hapësirën e jashtme për të. Ju desh ca kohë që të merrte guximin për të bërë hapat e parë në bar të freskët dhe në dheun e hapësirës së tij të jashtme. Ky është një proces i ngadalshëm dhe i vazhdueshëm për të derisa ai të mësohet me hapësirën e jashtme, por ne jemi të sigurt që Gjoni shumë shpejt do të ndihet më i relaksuar”, thuhet në postimin e Pyllit të Arinjve.