16:13 / E Enjte, 04 Tetor 2018 / indeksADMonline

Lirohet nga paraburgimi Shkumbin Demaliaj, i caktohet një tjetër masë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkëmbim Demaliaj është liruar nga paraburgimi.

Avokati i tij, Arianit Koci ka konfirmuar për “Indeksonline” se është aprovuar kërkesa nga Gjykata e Apelit për lirimin e klientit të tij. Të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Mirëpo, Koci ka paralajmëruar që do të bëjë përsëri ankesë që t’i hiqet edhe kjo masë.

Ndryshe, deputeti i AAK-së është arrestuar para 7 ditësh nga Policia e Kosovës, pas deklaratave të tij ndaj ish-prokurorit Elez Blakaj.

E gjitha ka ardhur pas ngritjes së aktakuzës ndaj Demalisë si anëtar i Komisionit për verifikimin e listave të veteranëve dhe publikimit të listës me veteranët mashtrues në të cilën ndodhej edhe emri i babait të tij.

Pas kësaj, deputeti kishte fyer dhe kërcënuar ish-prokurorin Elez Blakaj në media. Demaliaj kishte thënë se do të merret privatisht me ish-prokurorin Blakaj.