15:15 / E Mërkurë, 10 Tetor 2018 / indeksADMonline

Lista Serbe organizon protestë në veri

Protesta ishte thirrur të fillojë në orën 12:44 në kujtim të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këtu është mbledhur një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, të cilët vijnë edhe nga komunat tjera. Aty janë të pranishëm edhe të ashtuquajturat “mantelat e bardha” me të cilët është drejtori i Qendrës Klinike Millan Ivanoviq, transmeton portali Kossev.

Në tubim shihen transparentët “Asociacioni mbështetja jonë”, “Prej këtu nuk ka mbrapa” dhe “Nuk i japim të drejtat tona”.

Udhëheqja e Listës Serbe gjendet në plato: Goran Rakiq, Milan Radoiçiq, Dalibor Jevtiq, Slavko Simiq, Nenad Rikalo, Igor Simiq dhe Sërgjan Popoviq. Nuk vërehen forcat e mëdha policore. Është dëgjuar edhe intonimi i himnit të Serbisë.

“Serbizmi buron nga freskat. Në të, si edhe në freskë, vetëm plagë, por ringjallja gjatë gjithë kohës është e pandërprerë. Sikur të mos luftonim pandërprerë, as nuk do të mbijetonim, sepse ajo që është e qetë, ajo edhe vdesë”, ka thënë moderatorja.

“E dini mirë se në pesë vjetët e kaluar kemi tentuar që problemet t’i zgjidhim në tryezë e jo në rrugë, dhe kur të vijë deri te konflikti, ne politikanët do të jemi para juve, e jo sikur ka qenë dikur. Gjithmonë me popullin tonë dhe kurrë pas atij”, ka thënë kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq.

“Duke falënderuar politikës së mençur, para se gjithash të kryetarit Vuçiq, por edhe të Listës Serbe në krye me Goran Rakiqin dhe gjithë anëtarët, kemi arritur që në provokime të mos përgjigjemi ashtu sikur armiqtë e popullit serb dëshirojnë, ndonjëherë me guxim, e ndonjëherë në mënyrë të marrë. Kemi arritur që te vetja të ndryshojmë atë çfarë është më e vështirë, të jemi të mençur dhe të durueshëm”, ka thënë nënkryetari i Listës Serbe Igor Simiq, transmeton insajderi

Lista Serbe mbrëmë ka bërë thirrje për qytetarë që t’i bashkëngjiten protestës me rastin e 2.000 ditëve prej nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacion të komunave me shumicë serbe “që në mënyrë të qetë dhe dinjitoze të dërgojnë porosi të qarta se do të mbesin dhe mbijetojnë në këto hapësira, dhe se nuk do të lejojnë që harresa ta kaplojë marrëveshjen për Asociacionin”, pretendohet në kumtesën e Listës Serbe.