17:53 / E Enjte, 21 Prill 2022 / MSH

Liverpool reagon lidhur me fyerjet drejt tragjedisë së Hillsborough

Gjiganti anglez Liverpool përmes një komunikate zyrtare ka konfirmuar se dënon çdo akt të pahijshëm dhe ofendim drejt katastrofës së Hillsborough.

Më 15 prill të vitit 1989, 97 tifozë të Liverpoolit humbën jetën si pasojë e shembjes së stadiumit “Hillsborough” në gjysmëfinalen e FA Cup mes Liverpoolit dhe Nottingham Forest.

Pas një gjykimi të vonshëm, vendimi i gjykatës ishte se të 97 tifozët ishin vrarë në mënyrë jashtëligjore, ku kjo gjë mbetet fatkeqësia më e keqe sportive në Britaninë e Madhe.

Më herët gjatë kësaj jave, Manchester United kritikoi tifozët të cilët kënduan këngë aspak të pranueshme për tragjedinë e Hillsborough, gjatë humbjes 4:0 kundër Liverpoolit.

Ndërkaq, të dielën e kaluar, Manchester City kërkoi falje për disa tifozë të cilët ndërpriten një minutë heshtje në 33 vjetorin e tragjedisë gjatë humbjes 3:2 në gjysmëfinale kundër “Të Kuqve”.

“Liverpool FC është i pikëlluar pas ofendimeve të fundit drejt tragjedisë së Hillsborough. Ne jemi të vetëdijshëm për ndikimin që kanë fyerjet e neveritshme në familjet e 97 viktimave, drejt atyre të mbijetuarve dhe drejt të gjithëve që kanë lidhje me klubin.

Ne jemi duke punuar me autoritetet relevante që të bëjmë çdo gjë që është e mundur që të sigurohemi se këto thirrje të neveritshme të mos jenë pjesë e futbollit, dhe të dënohen ata të cilët motivojnë këto ofendime”, shkruante në komunikatën e Liverpoolit.