15:53 / E Shtunë, 06 Gusht 2022 / MSH

Liverpooli e nis me barazim sezonin e ri të Premier Ligës

Ka përfunduar gjithçka sa i përket ndeshjes mes Fulhamit e Liverpoolit, ku të dy skuadrat kanë arkëtuar pikët e para të sezonit 2022/23 të Premier Ligës angleze.

Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara, në stadiumin “Craven Cottage” u shënuan plot katër gola, ku Fulhami dhe Liverpooli barazojnë me rezultat 2:2.

Fillimisht, ishte skuadra e Fulhamit ajo e cila e zhbllokoi rezultatin e para në këtë ndeshje, ku sulmuesi Aleksandar Mitrovic shënon për 1:0 në minutën e 32’.

Liverpooli arriti ta gjej golin e barazimit përmes transferimit të ri, Darwin Nunez, i cili me stil shënon për 1:1 në minutën e 64’ të ndeshjes.

Kundërpërgjigja e Fulhamit ishte e shpejtë, pasi që tetë minuta më vonë kalon në epërsi, përsëri përmes sulmuesit serb, Mitrovic, i cili nga pika e bardhë shënon për 2:1 në minutën e 72’.

Golin e barazimit për Liverpoolin, dhe të fundit në ndeshjen e sotme e shënoi ylli egjiptian, Mohamed Salah, i cili ia siguron skuadrës së tij një pikë në minutën e 80’ të ndeshjes.

Me pikët e reja, momentalisht, Fulhami zë vendin e dytë në tabelë, kurse Liverpooli zë vendin e tretë, të dyja me nga një pikë të arkëtuar.

Rezultati final i ndeshjes është 2:2.