23:03 / E Martë, 05 Prill 2022 / AR

Liverpooli nuk lë vend për befasi, mposht si mysafirë Benfican

Ka përfunduar ndeshja mes skuadrës portugeze Benfica dhe gjigandit anglez Liverpool, ku ky i fundit si mysafirë ka arritur të shënojë fitore.

Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “da Luz”, Liverpooli e ka mposhtur me rezultat 3:1 skuadrën e Benficas, përcjell KosovaPress.

Fillimisht, ishte mbrojtësi Ibrahim Konate ai i cili e zhbllokoi rezultatin i pari, duke shënuar në minutën e 17’ për ta kaluar Liverpoolin në epërsi prej 1:0.

Sulmuesi i krahut Sadio Mane arrin ta thellojë epërsinë për “Të Kuqtë” në 2:0 në minutën e 34’ të ndeshjes.

Benfica arriti të rikthehet në lojë, ku pas një gabimi të Konates, sulmuesi Darwin Nunez arrin të shënojë në minutën e 49’ për 2:1.

Kur shihej se ndeshja ishte drejt fundit me këtë rezultat, ylli kolumbian Luis Diaz shënon golin e tretë për Liverpoolin dhe të fundit të ndeshjes në minutën e 87’ të ndeshjes.

Rezultati final i ndeshjes është 3:1 në favor të Liverpoolit, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 13 prill në stadiumin “Anfield Road” me fillim nga ora 21:00.