16:24 / E Mërkurë, 19 Prill 2023 / k.v

Lladrovci: Athua ndjejmë ende dhimbje kur dikujt i bëhet padrejtësi!

Një lajm nga viti 1992, ku Unioni i Pavarur i Studentëve kërkonte lirimin e studentit të atëhershëm të Fakultetit të Bujqësisë, Ramiz Lladrovci, e ka shtyrë tashmë, kryetarin e komunës së Drenasit të pyes: Athua ndjejmë ende dhimbje kur dikujt i bëhet padrejtësi!

“Krahas vuajtjeve që kishim, solidariteti dhe reagimi ndaj padrejtësisë ishte në nivelin e lartë, sikur reagimi i Unionit të Pavarur të Studentëve të Fakultetit të Bujqësisë, në lidhje me arrestimin tim”, ka shkruar sot Lladrovci në rrjetin social.

Postimi i plotë:

Përkujtim i solidaritetit nga koha e okupimit!Në muajin e shenjtë të Ramazanit e solidaritetit, një mik ma dërgoi një copë gazete ku jepej Reagimi kundër arrestimit tim nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Fakultetit të Bujqësisë, nga viti 1992.

Lajmi tregon se ishim të përndjekur dhe të persekutuar nga regjimi serb në çdo situatë, por, solidaritetin e kishim të fuqishëm.

Popullin tonë e kanë shoqëruar peripeci të mëdha, por, falë këtij solidariteti, i kemi tejkaluar ato më lehtë.

Një reagim ndaj padrejtësisë u shpreh kur u ndalova dhe u arrestova (natyrisht pa asnjë fakt e as arsye), si student i vitit të tretë në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës.

Krahas vuajtjeve që kishim, solidariteti dhe reagimi ndaj padrejtësisë ishte në nivelin e lartë, sikur reagimi i Unionit të Pavarur të Studentëve të Fakultetit të Bujqësisë, në lidhje me arrestimin tim.

Athua ndjejmë ende dhimbje kur dikujt i bëhet padrejtësi!