17:01 / E Mërkurë, 25 Prill 2018 / indeksADMonline

Lladrovci takoi pronarët e kombibusëve, i fton ta respektojnë ligjin

Gjatë ditës së sotme, pas një proteste të organizuar nga pronarët e kombibusëve të Komunës së Drenasit para objektit të komunës, kryetari Ramiz Lladrovci i ka takuar ata duke u informuar për qëllimin e protestës së tyre.

Kryetari Lladrovci u ka thënë protestuesve se Komuna është vetëm duke zbatuar Ligjin e Komunikacionit i cili e ndalon veprimtarinë e transportit publik ilegal.

“Deri sa ligji aktual është në fuqi, ai do të zbatohet në përpikëri në Komunën e Drenasit, sikurse që janë duke u zbatuar të gjitha ligjet, rregulloret dhe udhëzimet në fuqi”, theksoi Lladrovci, duke shtuar se asnjë punë e paligjshme nuk është e mirë.

Ai po ashtu, ka ftuar qytetarët e Komunës së Drenasit të mos e ushtrojnë veprimtarinë e paligjshme në transportin publik por as të mos e shfrytëzojnë transportin e paligjshëm, ngase, ekziston veprimtaria legale e autobusëve për transportin publik.