13:36 / E Enjte, 02 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Lluka paralajmëron nënshkrimin e kontratave për TC “Kosova e Re”

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se vonesat në ndërtimin e termocentralit Kosova e Re kanë sjellë një situatë jo të mirë në furnizim me energji elektrike.

“Tani jemi në përfundim të bisedimeve, besoj se në dhjetor do ta nënshkruajmë marrëveshjen me kompaninë Contour Global për çështje sociale dhe mjedisore. Tani do të hapet tenderimi me mbi 1 miliard euro për ndërtimin e kapacitetit prej 450 megavatë netto”, tha Lluka.

Ai përmendi faktin se financimi i projektit do të jetë problem sepse Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nuk do të përkrahë projekte me thëngjill. Ministri theksoi edhe faktin se investitorët e huaj frikësohen nga tarifat e larta për biznese.

“Sa i përket investitorëve të huaj ata frikësohen të investojnë ne Kosovë duke e ditur se jemi vendi i vetëm në botë që e kemi tarifat për 40% më të shtrenjta të energjisë elektrike për biznese se sa për ekonomi familjare, humbjet që i bartë biznesi në mungesë të energjisë elektrike llogariten 300 milionë euro”, tha ai.

Ditë më parë, Lluka tha se prioritete të punës së tij do të jenë rregullimi i sektorit të energjisë, sektori i minierave dhe ndërmarrjet publike.

Sa i përket korrupsionit në sektorin ekonomik, Lluka tha se mund të garantojë që gjatë mandatit të tij në MZHE nuk do të ketë korrupsion, mirëpo nuk garanton për ministri të tjera.