19:08 / E Premte, 11 Shkurt 2022 / MSH

Lojërt Olimpike Dimërore: Sportistja ruse deshton në testet anti-doping

Kamila Valieva, 15-vjeçarja ruse e patinazhit artistik që ndihmoi ekipin e saj të fitonte medaljen e artë olimpike Dimërore në Pekin, dështoi në një test droge në dhjetor.

Valieva, e cila ishte femra e parë patinatore që u hodh në një kërcim katërfish në një Olimpiadë pasi ekipi i saj fitoi të hënën e kaluar, mori një mostër më 25 dhjetor në Kampionatin Rus të patinazhit artistik në Shën Petersburg.

Por rezultati pozitiv u raportua vetëm të martën.

Valieva rezultoi pozitive për trimetazidinën, e cila përdoret në parandalimin e sulmeve të anginës, por është në listën e ndaluar sepse klasifikohet si një modulator i metabolizmit kardiak dhe është vërtetuar se përmirëson efikasitetin fizik.

Një seri apelimesh do të thotë se kjo çështje tani do të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport (Cas) për të marrë një vendim përfundimtar – me zëdhënësin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Mark Adams duke thënë se ai dëshironte një zgjidhje “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Medaljet për garën ekipore – në të cilën Shtetet e Bashkuara përfunduan të dytat, Japonia e treta dhe Kanadaja e katërta – nuk do të jepen deri në rezultatin e seancës dëgjimore Cas.

Një zëdhënës i Komitetit Olimpik Rus (ROC) tha se do “të marrë masa gjithëpërfshirëse për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e anëtarëve të ekipit të ROC dhe për të ruajtur medaljen e artë olimpike të fituar me ndershmëri”.

Cas tani do ta dëgjojë çështjen përpara paraqitjes së planifikuar të Valieva në garën individuale të patinazhit artistik për femra, e cila fillon të martën e ardhshme, 15 shkurt.

Atletët rusë po konkurrojnë nën emrin e Komitetit Olimpik Rus sepse Rusia mori një ndalim dy-vjeçar nga Wada në 2019 për programin e saj të dopingut të sponsorizuar nga shteti.

Midis 17 dhjetorit 2020 dhe 17 dhjetorit 2022, asnjë atlet nuk mund të përfaqësojë Rusinë në Lojërat Olimpike, Paraolimpike ose Kampionatet Botërore.