75 Mall Live Search
08:57 / E Shtunë, 11 Korrik 2026 / Gj Sh

Lufta e vitit 1982 ende ndikon në Botëror, FIFA ndalon arbitrat anglezë për ndeshjet e Argjentinës

Dy nga arbitrat më të njohur anglezë, Michael Oliver dhe Anthony Taylor, nuk do të jenë pjesë e ndeshjeve të Anglisë dhe Argjentinës në Kupën e Botës 2026.

Vendimi bazohet në rregulloret e FIFA-s, të cilat synojnë të garantojnë paanshmërinë dhe integritetin e garës, shkruan IndeksOnline.

Sipas rregullave të organit qeverisës të futbollit botëror, arbitrat nuk lejohen të drejtojnë ndeshjet e kombëtares së vendit të tyre, për të shmangur çdo konflikt të mundshëm interesi. Për këtë arsye, Michael Oliver dhe Anthony Taylor nuk mund të arbitrojnë sfidat e Anglisë gjatë turneut.

Megjithatë, kufizimi nuk ndalet vetëm te kombëtarja angleze. Sipas raportimit të The Athletic, dy gjyqtarët anglezë nuk do të caktohen as në ndeshjet e Argjentinës, për shkak të ndjeshmërisë politike që lidhet me Luftën e Falklandeve të vitit 1982 mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Edhe pse konflikti ka ndodhur më shumë se katër dekada më parë, FIFA vijon të marrë në konsideratë faktorë historikë dhe politikë gjatë caktimit të arbitrave për ndeshjet e turneve të mëdha ndërkombëtare, me qëllim shmangien e çdo polemike apo perceptimi për mungesë paanshmërie.

Si pasojë, Oliver dhe Taylor do të jenë në dispozicion vetëm për ndeshje të tjera të Kupës së Botës, por jo për ato ku janë të përfshira Anglia ose Argjentina./IndeksOnline/