15:59 / E Enjte, 23 Maj 2024 / FR

Lufta në Ukrainë, Rusia pretendon se ka marrë nën kontroll një tjetër fshat të Donetsk-ut

Rusia pretendon se ka marrë nën kontroll një tjetër fshat në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk.

Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes ruse thuhet se trupat e saj kapën Andriivka që ndodhet 13 kilometra në jug të Bakhmutit.

Bakhmut është një qendër e rëndësishme transporti dhe logjistike në rajonin e Donetskut që ishte vendi i përleshjeve intensive midis forcave ruse dhe ukrainase për muaj të tërë përpara se të kapej nga Moska në maj të vitit të kaluar.

Më tej thuhej se trupat ruse e përmirësuan situatën përgjatë vijës së frontit me Ukrainën dhe mundën trupat ukrainase pranë vendbanimeve Kostiantynivka, Rozdolivka dhe Chasiv Yar.

Autoritetet ukrainase nuk i kanë komentuar ende pretendimet dhe verifikimi i pavarur i pretendimeve të Rusisë është i vështirë për shkak të luftës në vazhdim.

Një ditë më parë, Rusia pretendoi gjithashtu se kishte pushtuar fshatin Klishchiivka, që ndodhet rreth 3.8 kilometra në veri të Andriivka. /abcnews.al