12:02 / E Diele, 26 Korrik 2020 / indeksADMonline

Lufta speciale dhe shqiptarët

Shkruan: Halit Krasniqi 

Çdo armik aplikon luftën speciale ndaj një populli para se ta pushtoj dhe pasi ta ketë nënshtruar. Lufta speciale brenda nesh ka ndodhur dhe është zhvilluar shumë gjatë në format më perfide dhe tejet të pa imagjinueshme.  

Sidomos pas ripushtimit të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën Beogradin zyrtar në të gjitha format e robërimit, e deri edhe sot, kur po bëhen dy dekada nga shkëputja prej tij. Duke u përballur me perfeksionimin e këtyre praktikave, ne hendikepohemi gjithmonë në përmbushjen e realizimit të synimeve tona historike, drejt të cilave pa tjetër se do të triumfojmë.  

Kur të legalizohen arkivat sekrete të Beogradit do të studiohen dhe do të jenë referenca të preferuara për aplikim në strategjitë për pushtime nga shkolla të konspiracionit ndërkombëtar dhe gjithashtu për t’u mbajtur të pushtuar në të ardhmen popujt e ndryshëm. Sidomos me format dhe metodat e luftës brenda llojit që janë aplikuar nga Beogradi ndaj nesh.  

Tani, pas mundësisë së hapjes dhe bashkëpunimit me arkivat e shërbimeve sekrete ushtarake dhe civile në Shqipëri, rezulton se në emra të përveçëm, Beogradi përmes shërbimeve sekrete ka dërguar të rinj me identitet të saktë, të prezantuar rrejshëm si familjar të dënuarit politik dhe gjoja që është pjesëtar i organizimit ilegal, për të kërkuar detyra konkrete se çka duhet të veprohet në Kosovë.   

Gjithashtu pas lirimit nga burgu të ndonjë personi me autoritet, kanë dërguar në Shqipëri, shqiptarë të Kosovës në emër të burgosurit stoik të sapo lëshuar nga burgu, për të kërkuar instruksione dhe udhëzime për pragmatizmin dhe kauzat aktuale që preferon Tirana zyrtare, përmes shërbimit të saj sekret.  

Nga të tillët, ka shembuj që janë katapultuar kuadro të përgatitura vullnetarisht dhe të tjerë të detyruar nga aksidente familjare me shantazhe të motivuara nga incesti dhe të tjera me motive të ulëta që të luajnë role të ndryshme në organizime ilegale, brenda organizatës së njohur në shkëmbim të zhdukjes së veprës penale.  

Në më shumë se një rast kemi të identifikuar që kanë arritur deri në organe udhëheqëse të organizimeve të kohës. Ata pastaj kanë aplikuar luftën brenda llojit deri në absurditet me mjaft efikasitet.  

Beogradi objektiv të veçantë kishte organizatën më të madhe me platformë të luftës. Protagonistët që aplikonin luftën speciale brenda saj, të katapultuar në faza të ndryshme, kur arritën me ndikim në vendim marrje, mënjanuan kuadro me përkushtime të dëshmuara e konseguent të sprovuar dhe imponuan zgjedhjen për kryetar të një protagonisti, jashtë organizatës, me formim e të kaluar shumë të mirë, por në atë kohë ende anemik nga goditjet e jetës, i cili as nuk ka ditur se si funksiononte ajo organizatë, sepse nuk ishte pajisur asnjëherë me informata të plota, madje as kur ishte zgjedhur formalisht kryetar.  

Kjo e vërtetë është e konfirmuar publikisht dhe aksidentalisht ka rrjedhur e shkruar në opinion nga një debat i kohëve të fundit për këto zhvillime dhe është denoncimi më ilustrativ i një zhvillimi të metodave dhe praktikave të luftës speciale. Tani në këtë distancë kohore duket shumë naiv ky veprim, por në kohën kur ka ndodhur, ka krijuar aksidente zhgënjyese te radhët e organizuara që gëzonin besimin në teorinë dhe praktikën e organizatës, në konspiracionin dhe kauzën e saj. 

Kemi raste të tjera kur strategët e luftës speciale, me veprime perfide, ua kanë dhënë programin politik të përkthyer në gjuhën shqipe dhe me instruksione praktike për të përvetësuar anëtarë e simpatizues. Pastaj personi më i trajnuar për këto veprime, ishte ngarkuar të bartte pseudonimin për identitet të personit konkret, atdhetarit më të sprovuar për stoicizëm në torturat e burgjeve jugosllave, pa u dekonspiruar asnjëherë në tri dënimet e tij edhe përkundër torturave mizore. Këtë pseudonim me autoritet në atë kohë e kanë preferuar për të tërhequr anëtarë të rinj dhe për të pasur efekt taktikat e luftës speciale, sepse personi konkret në atë periudhë ishte  në organin drejtues të organizatës tjetër ilegale. 

Kapitull tjetër i dhimbshëm janë shembujtë e argumentuar,  që në legalizimin e subjekteve politike në muzgun e sistemit një partiak, Beogradi ka aktivizuar kuadro të ndryshme me arsimim të lartë, të përgatitura për luftë speciale dhe ka katapultuar në role të ndryshme, në skenën politike legale të Kosovës dhe vise të tjera shqiptare të asaj kohe me misionin perfid dhe me diskurs sugjestionues, se Beogradi do të largohet nga Kosova dhe viset shqiptare me paqë e demokraci. Dhe, kjo ishte e dëshiruar nga të gjithë, por bombardimet e NATO-s për 78 ditë, çdo njërin e bindin sa mashtrues ishte ai diskurs politik, i cili ka krijuar konflikte në mes nesh për kohë të gjatë, madje edhe në kohën e luftës çlirimtare.  

Gjithashtu edhe sot, në skenën politike kemi autoritete me mision të caktuar, duke aplikuar luftën speciale me kauza të rrejshme e vetëvrasëse në zhvillimet aktuale. Të tillët janë me mision dhe me vetëdije funksionojnë si misionar perfid duke bashkëdyzuar në aleancë me karaktere të ndryshme kapriçioze, të etur për protagonizëm krijojnë debate e konflikte verbale për të prodhuar tensione përherë në mes nesh. 

A duhet të tolerohet kjo gjendje? Assesi! Asnjë patetikë atdhetare më nuk mund t’i mbulojë humbjet e shansave të momenteve që po na ikin dhe asnjë dekor kuqezi nuk guxon të djegë rëndësinë e momenteve që po na humbin. Dhe kjo marrëzi duhet të ketë fund? Pa tjetër se po dhe jo më larg se tani! Çdo konflikt në mes nesh dhe çdo obstruksion në synimet tona, me çfarëdo emri, është prodhim i luftës speciale nga skenarët e Beogradit zyrtar.                           

Të gjithë protagonistët, pjesë e luftës speciale, nëse duan jetën e tyre ta gëzojnë plotësisht, pa u turpëruar publikisht sa janë gjallë ende, duhet t’i mbyllin faturat e tilla që të mos ngarkojnë me hipoteka edhe më shumë pasardhësit e tyre, duke ndalur menjëherë shërbimet në dëm të kombit dhe atdheut. Për të dëshmuar këtë, menjëherë të trokasin në dyert e institucioneve të intelegjencës në Prishtinë ose në Tiranë, për të shpalosur rrëfimet e plota për të bërat e deritashme dhe për ta formatizuar e ndërruar Cd-në e navigacionit të tyre.