23:07 / E Premte, 14 Korrik 2023 / Gj. Sh

Luis Enrique dëshiron te PSG portierin që shkëqeu në Kupën e Botës

Sezoni i ri në radhët e Paris Saint-Germain duket se do ta gjejë Gianluigi Donnarummën duke luftuar për statusin e titullarit. Trajneri spanjoll kërkon garanci mes shtyllave dhe mbi të gjitha pretendon konkurrencë të fortë edhe në rolin e portierit.

Ndaj, “Lucho” ia ka vënë syrin numrit një të Sevillas, Yassine Bono. Ky i fundit pritet që të largohet këtë verë nga Andaluzia edhe pse konsiderohet si një prej heronjve të skuadrës që fitoi titullin e shtatë të Europa League.

Drejtuesit e Sevillas janë të gatshëm ta lënë të lirë marokenin për 20 milionë euro. Aktualisht, Bono është ende me pushime dhe mbetet për t’u kuptuar edhe vetë dëshira e gardianit 32-vjeçar që ka një kontratë me Sevillan deri në vitin 2025.

Emri i Bono është edhe në listën e disa klubeve të tjera europiane si Inter apo Bayern Munich që janë në kërkim të portierëve këtë merkato verore.