12:11 / E Diele, 26 Nëntor 2023 / LB

Lushaku-Sadriu akuzon qeverinë se po bën fushatë propaganduese me gratë viktima të dhunës

Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar qeverinë se po bën fushatë propaganduese me gratë viktima të dhunës.

Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se ashtu siç ka konstatuar Gjykata Kushtetuese në mars të këtij viti, shteti jonë ka dështuar të marrë masa për parandalimin e dunës ndaj grave.

“Gati çdo e dyta grua ka përjetuar dhunë në familje”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Postimi i plotë:

QEVERIA BËN FUSHATË PROPAGANDUESE ME GRATË VIKTIMA TË DHUNËS

Dje, filluan 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, përgjatë viteve të fundit dhuna ndaj grave është duke shënuar rritje. Ashtu siç ka konstatuar Gjykata Kushtetuese në mars të këtij viti, shteti jonë ka dështuar të marrë masa për parandalimin e dhunës ndaj grave. Gati çdo e dyta grua ka përjetuar dhunë në familje. 

Në këtë katrahurë mosveprimi, dje Ministria e Drejtësisë, duke u dërguar mesazhe në telefona privat qytetarëve të Kosovës dhe duke ju thënë se gjoja Ministria paska ashpërsuar dënimet, bëri propagandë mashtruese duke dashur ta prezantojë veten si shpëtuese të grave.

Me këtë rast, Qeveria Kurti dëshmoi që është mashtruese- se nuk është në kompetencën e saj ashpërsimi i dënimeve; dhe është e paaftë- se nuk ka ka asnjë rezultat në ato që ka kompetencë.

Këta janë qeveritarë që as nuk dinë e as nuk mësojnë. Veç mashtrojnë. Padituria e tyre është e frikshme. Paaftësia e tyre qeverisëse është e dëmshme. E propagandën mashtruese e kanë të neveritshme.

Sot, Ministria e Drejtësisë duhet të na jep vetëm dy përgjigjje:

1. A e ka siguruar sistemin elektronik të monitorimit të burgosurve?

2. Sa buxhet enkas ka ndarë për tu ngritur kapacitetet e gjyqtarëve për trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje? 

Se sa ka shënuar arritje Qeveria për të adresuar dhunën me bazë gjinore, tregojnë rastet e vrasjeve makabre në dy vitet e fundit të grave nga ish të burgosur të pambikqyrur; poashtu, tregon Raporti i BE-së për Kosovën i publikuar këtë muaj, e që konstaton mungesë vullneti e dështim të institucioneve në adresimin e dhunës në familje.

Është për keqardhje se si Qeveria bën fushatë politike me gratë viktima të dhunës, duke bërë kështu propagandë mashtruese me një çështje kaq të ndjeshme; çështjen e dhunës ndaj grave.