06:25 / E Shtunë, 14 Tetor 2017 / indeksADMonline

Lushnjë, vetëdorëzohet njëri prej autorëve

Një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së dyfishtë në Lushnje u vetëdorëzua mbrëmë vonë. Julian Sula, i njohur me nofkën “Juli i Pashakos”, shkoi vetë në policinë e Lushnjes ku po jep shpjegimet për implikimin e tij në ngjarjen e rëndë të netëve më parë. Dorëzimi vullnetar i tij duket se erdhi pas kërkimeve të shumta të policisë për të kapur autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë. Policia në Lushnje ka shtuar prezencën dhe kontrollet për të kapur dy të akuzuarit kryesorë, Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili, si vrasës të Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit dhe plagosjes së dy të tjerëve.

Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen e rëndë të ndodhur në qytetin e Lushnjës disa ditë më parë, ku mbetën të vrarë dy të rinj dhe u plagosën dy të tjerë, po vijon marrjen në pyetje të dëshmitarëve. Disa dëshmi kanë zgjeruar edhe rrezen e hetimeve dhe dyshimet mbi objektivin e atentatit. Gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin “Byro Politike” se kjo ngjarje ka lidhje me bandën e Aldo Bares, ku qytetarët edhe sot e kësaj dite kur i përmendet emri tmerrohen. Ajo shtoi se, policia për disa ngjarje që kanë lidhje me këtë masakër, ka prishur disa herë provat në vendngjarje. “Unë personalisht mendoj se ka dhe një dorë të tretë. Xhulio Shkurti është i afërmi i Afrim dhe Genci Hoxhës dhe ka djalë dajë Jurgen Hoxhën, i cili mbeti i vrarë të mërkurën. Prokuroria po e shikon me ftohtësi. Detyrë e policisë është që të hetojë të gjitha pistat. Ajo çfarë shikoj është mosfunksionim i sistemit. Laert Haxhiu i cili është shpallur në kërkim është lënë i lirë nga Gjykata.
Një njeri i tillë si ka mundësi që lëviz i lirë? Ky grup kriminal ka disa lidhje me Policinë e Shtetit. Mendoj se janë shkatërruar një sërë provash që më pas i është dhënë liri. Janë shkatërruar prova nga vendi i ngjarjes. Aldo Bare është nën masa të larta sigurie. Janë shtuar masat e sigurisë në burgun e Peqinit për Aldo Baren. Për mendimin tim ka qenë një vrasje me paramenduar për t’i vrarë në grup. Sajmo Xhelili nuk është plagosur. Ndërsa Xhulio Shkurti ishte larguar vetëm disa më parë”, tha Lala.
Familjarët e viktimave
Familjarë, të afërm, miq dhe shokë, nuk e pranojnë lehtë atë çfarë ndodhi me Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifin. Këta të fundit u qëlluan për vdekje në mes të qytetit të Lushnjës, nga Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Të dyja familjet e të rinjve kanë hapur dyert e shtëpisë për çdo të afërm të tyre. Prindërit e Jurgenit dhe Zamirit, zor e përtypin faktin që djemtë e tyre nuk jetojnë më. Familja e të ndjerit Zamir Latifi, pretendon se djali i tyre është vrarë padrejtësisht. Sipas tyre, Zamiri nuk merret me punë të pista dhe nuk kishte asnjë arsye pse të vritej në një mënyrë të tillë. Ata thonë se objektiv i asaj ngjarjeje nuk ka qenë Zamiri dhe se, ky i fundit ndodhej në vendin e gabuar. Ata kërkojnë nga Policia e Shtetit të vihet drejtësi për këtë masakër që ndodhi tre ditë më parë dhe, autorët të arrestohen sa më parë. “Objektivi i asaj ngjarje nuk ka qenë Zamiri, kanë qenë të tjerë persona. Ai është vrarë padrejtësisht dhe për këtë kërkojmë të vihet drejtësi. Zamiri nuk është marrë me punë të pista, trafiqe siç ka dalë edhe në media. Shteti të vërë drejtësi dhe të arrestojë autorët”, janë shprehur ata me lot nën sy. Ndërkohë, me anë të një statusi në “Facebook”, ka reaguar dhe vëllai i të ndjerit Zamir Latifi, i cili mban emrin Mario Corana. “Shpirti im si kemi qeshur para tre ditësh, dhe më the që kështu dua të shoh gjithmonë të qeshur, por sot mi mbylle sytë me lot dhe kjo zemra ime nuk duron dot. Ti ishe dhe je jeta ime, shpirti i vëllait. Të dua më shumë se gjithçka. Këtë këngë e dëgjonim bashkë dhe do vazhdojmë ta dëgjojmë bashkë vëllai im” ka shkruar Mario. Por, lidhur me këtë postim të tij disa ndjekës i kanë komentuar. Mario, në një koment është përgjigjur: “O do më vrasin dhe mua, o do t’i vras unë ata që më vranë shpirtin tim”.
Policia në kërkim të autorit të tretë
Grupi hetimor vijon hetimet për masakrën e ndodhur pasditen e së mërkurës në qytetin e Lushnjës. Burime nga policia bëjnë të ditur se hetimet vazhdojnë për të bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të tretë që ka marrë pjesë në këtë ngjarje. Personi i tretë dhe ende i paidentifikuar nga Policia, mendohet të jetë shoferi i makinës, ndërsa Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili janë ekzekutorët. Ndërkohë, policia ka shoqëruar disa persona, në mesin e të cilëve është edhe Julian Sula, emër i njohur për blutë e Lushnjës, pasi ka qenë disa herë i dënuar për krime të ndryshme. Megjithatë, ndaj tij nuk ka asnjë të dhënë konkrete se ai mund të ketë qenë personi i tretë që marrin pjesë në ekzekutimin e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit. Rreth 30 persona të tjerë, shumica dëshmitarë okularë të ngjarjes, janë pyetur ne polici. Një nga këtë dëshmitarë ka njohur si autor të atentatit Laert Haxhiun dhe Orges Bilbilin, të shpallur tashmë në kërkim. Haxhiu nga Prokuroria e Lushnjës është akuzuar për vrasjen e Gerti Salës, i njohur ndryshe si “iriqi” në vitin 2009. Prokuroria e Lushnjës këtë dosje ia delegoi Prokurorisë së Vlorës për shkak se autori ishte i mitur. Por Gjykata e Vlorës e ka dënuar Haxhiun vetëm me një vit burg për akuzën e vjedhjes, pasi nuk u provua akuza e vrasjes. Edhe ne 2016 ai është dënuar me 1 vite e 6 muaj burg nga Gjykata e Durrësit për shitje të lëndëve narkotike. Edhe i shpalluri tjetër në kërkim, Orges Bilbili, është i dënuar nga Gjykata e Krimeve të rënda me 7 vite e 4 muaj burg në mungesë. Ai ka qenë një nga personat që ka paketuar drogën, e cila do ngarkohej në avionin e Xhorxho Riformatos, i cili u rrezua në plazhin e Divjakës. Ai u zbulua nga shenjat e gishtave të cilat u gjeten në pakot me drogë.
Ngjarja
Në bazë të hetimeve të kryera nga Policia e Lushnjës, 10 minuta para se të ndodhte vrasja e dyfishtë, viktimat ishin takuar së bashku me disa persona të tjerë jashtë ambienteve të lokalit. Bashkë me grupin ishte edhe Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por pak momente para krimit ky i fundit kishte lëvizur për të shkuar tek berberi. Dyshimet kryesore janë se dy atentatorët Haxhiun dhe Bilbilin, dikush mund t’i ketë njoftuar për vendndodhjen e kundërshtarëve dhe praninë e tyre në kafenenë në lagjen “Loni Dhamo”. Laert Haxhiu, fillimisht ka qëlluar në drejtim të tavolinës ku po qëndronin viktimat Latifi e Hoxha dhe i plagosuri Xhepaxhiu. Pasi i qëllon me breshëri automatiku dy të rinjtë, trupat e të cilëve u gjendën shumë pranë një automjeti tip “Fiat Punto” në pronësi të Xhulio Shkurtit, Haxhiu futet brenda lokalit. Ky ka qenë momenti ku shumë dëshmitarë okularë, kanë shquar autorin e dyshuar të kësaj masakre, si Laert Haxhiu. 25-vjeçari, duke menduar se brenda lokalit gjenden pjesëtarët e tjerë të grupit, nxiton drejt tij. I dyshuari Laert Haxhiu së bashku me mikun e tij Orges Bilbili kanë hyrë brenda lokalit, mesa duket me qëllimin për të vrarë Xhulio Shkurtin e Saimir Xhelilin.

Zamir Latifi qëlloi autorin
Në momentin kur Laerti dhe Orgesi ishte duke qëlluar në brendësi të lokalit, Zamir Latifi, i cili kishte mbetur i plagosur ka qëlluar me pistoletë në drejtim të atentatorëve, por pa rezultat. Me të dalë nga lokali, si kundërpërgjigje, mbi trupin e Zamir Latifit dy autorët derdhën 35 plumba. Dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes janë shprehur se ngjarja mund të kishte marrë të tjera përmasa nëse nuk do të kishin mbaruar plumbat e automatikut të25-vjeçarit Laert Haxhiu. Kamerat e sigurisë nuk kanë mundur të fiksojnë të gjithë ngjarjen, ndërsa krimi makabër ndodhi shumë pranë komisariatit të Policisë Lushnjë. Pas ngjarjes, atentatorët që mendohen të kenë qenë tre veta, dogjën automjetin në aksin Lushnje-Berat. Ndërkohë, burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja e plotë është mundur të dokumentohet nga dëshmia e një personi që ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes dhe ka mundur të njohë autorët. Ai është shoqëruar në polici dhe, emri i tij nuk do të bëhet i ditur për arsye sigurie.