Lushtaku: Turp për ata që gëzohen kur intervistohen luftëtarët e UÇK-së
Raportimi se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është nisur për në Hagë pasi ka pranuar ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale, ka nxitur reagimin e bashkë partiakëve të tij.
Veseli i cili vet e demantoi se është ftuar nga Gjykata Speciale, ka thënë se është në Lubjanë për doktoratë e jo për intervisitim.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, në një status në Facebook, ka thënë se të gjithë ata që gëzohen kur një luftëtar i UÇK-së intervistohet për luftën që e ka bërë duhet të ndjehet i turpëruar.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Lushtakut:
Edhe pas demantit nga kryetari Veseli për lajmin e rremë për kinse paskësh marrë ftesë nga Haga, shumë zëra vazhdojnë shpifjen e tyre. Kjo tregon shumë çka.
Përpos tendencës së denigrimit të personalitetit të kryetarit Veseli, që njëherësh është i pari i Legjislativit në Republikën e Kosovës, është edhe një lloj gëzimi i këtyre zërave që çlirimtarët po ftohen e po intervistohen për luftën e drejtë që ata kanë bërë për lirinë e vendit, Kosovës tonë të shtrenjtë.
Duhet të turpërohen të gjithë ata që ndjejnë çfarëdo lloj gëzimi a kënaqësie kur një luftëtarë i UÇK-së të intervistohet për luftën që ka bërë. /Indeksonline/