16:16 / E Premte, 02 Nëntor 2018 / indeksADMonline

LVV kundërpërgjigjet rreth raportimeve se është e përfshirë në punësimin për Gjermani

Deputetja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli ka reaguar ashpër lidhur me raportimet e fundit se deputetët e legjislativit kanë ngritur dyshime se organizimi  për punësim në Gjermani, që ndodhi ditë më parë në Prizren është organizuar nga partia e Albin Kurtit.

Sipas këtij dyshimi, kjo është bërë me qëllim të mos liberalizimit të vizave.

Pacolli, përmes një statusi në Facebook, ka ndarë dy gjëra shumë shqetësuese për opinionin lidhur me këtë çështje, përcjellë Indeksonline.

“Më e vogla është shpifja që po bëjnë deputetët e pushtetit, kinse Vetëvendosja ka organizuar aktivitetin për punësim të shqiptarëve në Gjermani, për të prishur imazhin e vendit. Kjo shpifje sigurisht që s’ka asnjë bazë, në Prizren ishte panairi i punës, dhe në intervista te kompanitë private u paraqitën shumë të interesuar.

“…Kryesuesi i seancës, Xh. Haliti i PDK-së sot nuk i ka hedhur në votim 6 projektligje, sepse nuk e kanë patur mbështetjen e Listës Serbska. A e dini çka i bjen kjo? Këta po e rrisin pushtetin e Listës Serbska përtej të gjitha kuptimeve kushtetuese e ligjore, përtej çështjeve që kanë nevojë për shumicë të dyfishtë”, ka thënë ndër të tjerash ajo në shkrimin e saj në Facebook.

Më poshtë postimi i plotë i Pacollit në Facebook:

Dy gjëra shumë shqetësuese desha t’i ndaj me ju miq.

Më e vogla është shpifja që po bëjnë deputetët e pushtetit, kinse Vetëvendosja ka organizuar aktivitetin për punësim të shqiptarëve në Gjermani, për të prishur imazhin e vendit. Kjo shpifje sigurisht që s’ka asnjë bazë, në Prizren ishte panairi i punës, dhe në intervista te kompanitë private u paraqitën shumë të interesuar. Kjo është normale në një vend me papunësi mbi 40%. Çka nuk është normale është papunësia e lartë, më e larta në Evropë. Për këtë fajin kryesor e kanë qeveritarët hajna dhe ministrat injorantë. Kjo papunësi e kjo varfëri e prish imazhin e Kosovës. Kjo i detyron të rinj e të vjetër ta shohin emigrimin si zgjidhje të vetme. Pranojeni, kolegë deputetë të pushtetit e sidomos të PDK-së, fajtorë për mjerimin e Kosovës jeni ju. Pasuria juaj e pajustifikueshme dhe e paarsyetuar është varfëria e popullit. Vjedhjet e padrejtësitë tuaja e shtyjnë popullin drejt mërgatës. Nuk ka prishje më të madhe të imazhit të Kosovës se sa ekzistenca juaj në politikë.

Por, e dyta është më shqetësuese. Kryesuesi i seancës, Xh. Haliti i PDK-së sot nuk i ka hedhur në votim 6 projektligje, sepse nuk e kanë patur mbështetjen e Listës Serbska. A e dini çka i bjen kjo? Këta po e rrisin pushtetin e Listës Serbska përtej të gjitha kuptimeve kushtetuese e ligjore, përtej çështjeve që kanë nevojë për shumicë të dyfishtë. Pra, ndërkohë që presidenti i tyre Thaçi në Bjellorusi kundërshton Gjermaninë dhe thellon jaraninë me Vuçiqin, Brnabiqin dhe kërkon takim me Putinin, këtu brenda Xhaviti ia rrit pushtetin Listës Serbska edhe më shumë. Ku po na çon kjo PDK? Nuk mund ta sakrifikojmë krejt Kosovën për ta!./Indeksonline/

Deputetët dyshojnë që VV organizoi ‘tollovinë’ për punësim në Gjemani, për të dëmtuar liberalizimin