21:30 / E Shtunë, 26 Dhjetor 2020 / OSH

Mёrgata jonё ёshtё gjithmonë e gatshme tё ndihmojё vendin e tyre

Shkruan: Blerim Canaj

Ditёve tё fundit në formë satire – që dikush e kuptoj e dikush jo – ёshtё hapur njё debat rreth mёrgatёs sonё. Pёrpos mёnyrёs sё hapjes sё kёtij debati nё tё cilin rezultoj tё ketё edhe dhunё, mendoj qё hapja e një debati të tillë ёshtё tejet i mirёseardhur. Ajo çka mund tё vёrehej nё krejt kёtё debat ishin posaqёrisht divergjencat kulturore tё cilat shkaktohen si shkak i shkёputjes së kontaktit me vendin dhe ndryshimit tё gjeneratave.

E këto, pra divergjencat kulturore janё tejet tё mundimshme posaçёrisht pёr gjeneratёn e parё dhe tё dytё tё mёrgimtarёve. Pёrderisa gjenerata e parё jeton brenda njё kulture tjetёr, gjithmonë nё pёrpjekje pёr tё ruajtur traditёn dhe identitetin, gjenerata e dytё jeton nё mes tё tradicionales nё familje dhe tradicionales tjetër përkatësisht asaj të vendit pritёs. Vёshtirёsitё e gjeneratёs sё parё pёr tё u integruar nё vendin pritёs dhe pёrpjekja pёr tё ruajtur identitetin dhe kulturёn dhe pёr tё pёrcjellur pastaj atё tek fёmijёt, pёrkatёsisht tek gjenerata e dytё, janё çёshtjet kyqe qё pёrcjellin gjeneratёn e parё tё njё familje shqiptare tё mёrgatёs sonё deri nё fund tё jetёs. Dhe ata nuk dorёzohen. Krejt kjo shprehet me dashurinё dhe pёrkushtimin e tyre pёr atdheun. Kjo ka bёrё qё ata me vetiniciativa tё organizohen dhe tё krijojnё instrumente institucionale nё pёrpjekje pёr tё ruajtur kulturёn dhe traditёn, pёr tё shtuar dashurinё pёr atdheun.

Paramendojeni njё fёmijё qё ёshtё gjenerata e dytё e kёsaj familje mёrgimtare i cili pjesёn mё tё madhe tё ditёs e kalon jashtё shtёpisё nё shkollё apo universitet ku flitet njё gjuhё tjetёr, e i integruar plotёsisht nё traditёn e vendit pritёs. Pas gjithё kёsaj ai fёmijё pastaj pjesёn e mbetur tё ditёs, nё gjuhёn shqipe do tё dёgjojё pёr vendin e tij dhe traditёn e tij, pёr atё se çfarё i shkon dhe çfarё nuk i shkon njё shqiptari. Pra ai fёmijё do tё kalojё pjesёn mё tё mundimshme duke u edukuar nё mes dy kulturash: një kulturë në familje dhe një tjetër jashtë familjes në përpjekje që të mos shikohet ndryshe, por duke e dashur vendin e origjinёs. E pёr tё forcuar lidhjen me vendin e origjinёs harxhohen shuma marramendёse nё shtёpi e banesa. Krejt kjo pёr tё ditur qё shtёpia e tyre bazё ёshtё nё Kosovё. E krejt kjo nuk ёshtё fare e lehtё.

Krahas kёsajё mёrgata jonё edhe tani njejtё si para luftёs e edhe gjatё luftёs,  ёshtё gjithmonë e gatshme tё ndihmojё vendin e tyre. Mёrgatёs gjithmonё i dhemb poqёse ata nuk e shohin vendin e tyre tё jetё si e duan ata. E kёtё e kam vrojtuar vet si pjesё e mёrgatёs. Edukimi i fёmijёve tё tyre, deri në akademikё, me punёn e tyre tё krahut ёshtё suksesi mё i madh i mёrgatёs. Njё sukses qё nuk ёshtё fare i lehtё. Sot ne kemi njё reputacion tejet tё mirё si popull pikёrisht pёr shkak tё fёmijёve tё mёrgatёs sonё.

Por e keqja qё bёhet nga vendi i tyre i origjinёs ёshtё qё kjo ndjenjё dhe atdhedashuri pastaj manipulohet dhe keqpёrdoret nga politikanё tё papёrgjegjshёm. Duke njohur ndjenjёn e mёrgatёs pёr atdheun, duke shfrytёzuar shkёputjen e tyre nga atdheu, politikanёt e papёrgjegjshёm populistё nё emёr tё shtetndёrtimit shfrytёzojnё ata pёr politikat e tyre. Krejt kjo duke ua bere te parendesishme historine e shtetformimit. Duke shkaterruar ate qe do te duhej te mitizohej.

Andaj do tё doja vetёm njё gjё tё bёjё tё çartё: Mёrgata ka bёrё tё pamundurёn tё jetё pjesё e shtetformimit. Ka bёrё tё pamundurёn qё aty ku ёshtё dashur dhe ku i ёshtё dhёnё shansi tё jetё pjesё edhe e shtetndёrtimit. Bёjeni pjesё tё kёsaj, por mos e manipuloni pёr politika partiake. Mos luani me ndjenjat e tyre sepse janё shumё mё tё forta dhe mё tё prekshme se sa qё mendohet nё vendin e origjinёs. Mёrgata nuk ka nevojё pёr asgjё. Thjesht rrespektojini ata dhe mёsohuni nga ta se si me punё mund tё arrihet gjithçka.