20:03 / E Mërkurë, 12 Shtator 2018 / indeksADMonline

Maliqi komenton idenë e Thaçit për korrigjimin e kufijve

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi vazhdon të mos zmbrapset nga iniciativa për korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Ndonëse, pozita, opozita e diplomat të shumtë ndërkombëtarë, vazhdojnë të shprehen kundër kësaj ideje, Thaçi është i vendosur të mos ndërrojë qëndrim.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Shkelzen Maliqi thotë se iniciativa për korrigjimin e kufijve nuk është dashur të hapet fare si temë.

Sipas tij, Serbia jo rrallë herë ka tentuar të fitojë me anë të dialogut, porse nuk po merr asgjë.

“Ndoshta nuk ka qenë fare e nevojshme që të hapet kjo. Mirëpo Serbia e ka kërkuar këtë vazhdimisht dhe në prapavijë i ka pasur disa iniciativa që kjo të ndodhë, të ndodhë një lloj korrigjimi i kufijve. Do të thotë e ka hapur një propozim që Serbia të heq pjesë nga një pjesë e territorit të vet, kurse në një far mënyre kërkon një gjë që gjithmonë e ka potencuar edhe Vuçiq edhe Daçiq që Kosovës po i jepet gjithçka, ndërsa Serbia s’po merr asgjë, pra është një lloj strategjie”, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Maliqi konsideron se korrigjimi i kufijve mund të shkaktojë konflikt të ri dhe kjo mund të shkojë në mënyrë zinxhirore.

Ai thotë se me marrëveshje historike, do të mundësohej anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare. “

Ndoshta do të jenë disa katunde që kalojnë nga një pjesë në tjetrën, si një mundësi për të arritur marrëveshjen historike që do mundësonte anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat tjera. Mund të ketë konflikt, gjithmonë është ditur se sido që të jetë, jo vetëm në Ballkan, edhe në pjesët e tjera që korrigjohet kufiri mund të ndodh që të shkaktojë konflikt të ri dhe kjo mund të shkojë në mënyrë zinxhirore. Ndoshta edhe qëllimi kryesor i Serbisë nuk ka qenë asnjëherë që në Kosovë të ndodhë korrigjimi i kufijve përmes kësaj iniciative, atëherë kjo do të ishte një shkelje e rëndë që do të kishte implikime ndërkombëtare për këtë arsye edhe do të ishim të dëmtuar”, ka theksuar ai.

Në Kosovë ideja e presidentit Thaçi është kundërshtuar nga LDK, AAK e NISMA. Ndërsa Vetëvendosje e Albin Kurtit ende s’e ka një qëndrim të qartë./Indeksonline/