75 Mall Live Search
10:46 / E Hënë, 08 Qershor 2026 / KV

Malisheva u bashkohet bastioneve të PDK-së, shënon rritjen më të madhe në Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës ka regjistruar rritjen më të madhe komunale në nivel vendi pikërisht në Malishevë, duke e kthyer këtë komunë në një nga sukseset më të mëdha të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eugen Cakolli i Institutit Demokratik të Kosovës (IKD), PDK-ja ka shënuar rritje prej 22.12 pikë përqindje në Malishevë krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, duke kaluar nga 18.15% në 40.27% të votave.

Cakolli vlerëson se PDK-ja ka qenë subjekti më stabil në këto zgjedhje, me lëvizje relativisht të vogla në shumicën e komunave. Sipas tij, partia ka shënuar rënie në 21 komuna dhe rritje në 16 të tjera, por pikërisht rezultati në Malishevë bie më së shumti në sy.

“PDK-ja ka shënuar rritjen më të madhe në Komunën e Malishevës me rreth 22 pikë përqindje – që është lëvizja më e madhe komunale e evidentuar në këto zgjedhje”, ka theksuar Cakolli.

Rezultati konsiderohet si pasojë e bashkimit të elektoratit të Nismës Socialdemokrate me koalicionin e udhëhequr nga PDK-ja, duke bërë që Malisheva të afrohet me komunat tradicionale të djathta si Drenasi dhe Skenderaj.

Me këtë rezultat, Malisheva është shndërruar në komunën ku PDK-ja ka shënuar avancimin më të madh në gjithë Kosovën, duke i dhënë një shtysë të rëndësishme rezultatit të saj në nivel vendi.