12:46 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / OSH

Malishevë- Të gjitha zyrat komunale dhe institucionet tjera janë të pajisura me material mbrojtës kundër covid-19

Në kuadër të zbatimit të masave mbrojtëse dhe Manualit për mbrojtje në raport me Covidin-19, të gjitha zyrat dhe institucionet e tjera që janë nën ombrellë të komunës, janë të pajisura me material mbrojtëse ndaj pandemisë.

Kështu ka bërë të ditur, drejtoresha e Administratës së Përgjithshme në Komunën e Malishevës, Besartë Kryeziu-Ramaj, e cila ka thënë se të gjitha zyrat apo objektet e tjera, janë të pajisura mirë me material mbrojtës.

“Të gjitha zyrat komunale dhe drejtoritë, janë të pajisura me material mbrojtës, si maska mbrojtëse, dezinfektues për duar dhe alkool për dezinfektim. Po ashtu edhe objektet e tjera që janë nën ombrellë të komunës, siç është QKMF-ja dhe qendrat përcjellëse shëndetësore, muzeu i qytetit, biblioteka, salla e sporteve dhe të tjera, janë të pajisura me material mbrojtës”, ka thënë drejtoresha Besartë Kryeziu-Ramaj.

Sipas saj, janë duke u zbatuar të gjitha udhëzimet dhe vendimet që vijnë nga niveli qendror përmes Shtabit emergjent komunal. Ajo po ashtu kërkon nga qytetarët që të zbatojnë masat dhe udhëzimet e institucioneve përgjegjëse shëndetësore, për t’u mbrojtur nga Covidi-19.