14:00 / E Premte, 11 Shtator 2020 / indeksADMonline

Maq.e Veriut lehtëson kalimin në kufi për një pjesë të kosovarëve, pritet që Kosova ta heqë masën reciproke

Pas vizitës së ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, në Maqedoninë Veriore, kjo e fundit ka vendosur që ta heqë testin obligativ PCR, për te gjithë qytetarët e Kosovës për dy kategori.

Indeksonline mëson se si masë e parë, Maqedonia e Veriut, heq testin obligativ PCR, për te gjithë qytetaret e Kosovës, te cilët vijnë nga vendet tjera, në Aeroportin e Shkupit dhe udhëtojnë transit për në Kosovë.

Kjo nuk vlen për transportin rrugor dhe as për të kaluar transit nga territori i Kosovës, drejt Maqedonisë se Veriut dhe Aeroportit të Shkupit.

Ndryshe, zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, priti dje në kabinetin e tij ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Armend Zemaj.

Grubi dhe Zemaj diskutuan rreth gjendjes me epideminë e shkaktuar nga COVID-19 në dyja vendet dhe për mundësitë më të mira dhe efikase të ballafaqimit me të.

Dy ministrat gjatë takimit vunë në theks hapjen e pikave kufitare midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, vendim që do të ndihmonte ekonomitë e të dyja vendeve.

Grubi me këtë rast i tha ministrit Zemaj se ai personalisht është për hapjen e të gjitha vendkalimeve kufitare me qëllim të qarkullimittë lirë sipas modelit të shfrytëzuar nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, përmes qarkullimit të lirë pa kërkim të testeve PCR. /Indeksonline/