13:21 / E Hënë, 27 Korrik 2020

Maska apo virusi “Made in Kosova”!

Shkruan: Melihate Tërmkolli

Kryeministri Hoti, sot paska ekspozuar një maskë për mbrojtje nga Covid’19, duke vendosur në të logon e qeverisë dhe shtetit të Kosovës! Për t’i vënë “pronësi” vendore virusit apo maskës?!

Në vend të kësaj, do të ishte mirë që Kryeministri, Ministri i Shëndetësisë, Ministri i Punëve të Brendshme dhe tërë Qeveria të fillojnë të punojnë seriozisht në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve në luftë me Covid’19.

Shumë qytetarë po testohen veç kur janë në prag të vdekjes ndërsa rezultatet e testit dalin vetëm pasi të kenë ndërruar jetë! Ku është Ministri i Shëndetësisë?!

Shumë dasma, shumë tubime tjera me numër të madh të pjesëmarrësve, e policia askund! Pas “shtërngimit” të masave nga qeveria, që nga mëngjesi e deri në orën e caktuar të ndalim-qarkullimit, asnjë polic për të zbatuar vendimet! Ku është Ministri i Brendshëm?!

Ka edhe shumë e shumë veprime dhe sjellje të tilla.

Qytetarët vetëdijesohen kur qeveria e ka “ përnime” vendosjen dhe zbatimin e masave.

Merreni seriozisht këtë punë sepse qytetarët seriozisht po vdesin nga neglizhenca juaj, e ata që janë, përfshirë edhe shumë arsye tjera, seriozisht e kanë që t’ju qojnë në sh’pi nëse po vazhdoni kështu!

Maska edhe mund të jetë vendore por virusi nuk është. Veç një punë e mirë për luftimin e virusit mund të bëhet model “Made in Kosova”, nëse doni e mundeni! 

Prishtinë, 27 korrik 2020 

Mos i humb