19:28 / E Enjte, 26 Korrik 2018 / indeksADMonline

Matoshi kujton momente kur Adem Demaçi e çortonte, flet për bisedat që kishte me të ndjerin!

Halil Matoshi, këshilltari i kryeministrit, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në “Facebook” ka kujtuar disa momente me veprimtarin tashmë të ndjerë, Adem Demaçin.

Ai tregoi se me Demaçin nuk është se e ka quar aq mirë, mirëpo respektin gjithmonë e kanë pas ndërmjet vete.

Postimi i plotë:

Ademi – Demiurgu i madh i lirisë!

Me Bacen Adem, nuk asht se e kemi que aq mirë ndërmjet veti.
Dallimet i kemi pasë t’mdhaja edhe kur na ra hise me punue ni kohë sëbashku te “Zëri”.
E kam ruejt gjithni respektin për të.
Madje edhe kur me çortonte, unë i thojsha: “E drejta e mendimit ndryshe, Baca Adem!” dhe e ndieja se e çmonte këtë!
Ishte kampion i fjalës së lirë dhe ka pagu një çmim të lartë për mbrojtjen e saj.
28-vjet syrgjyn për fjalën dhe idenë që populli shqiptar me jetue i lirë!

Kam shkrue dy shkrime t’mdhaja për të, së pari , pak masi ka dal p’ej burgut, me titull “Nga ‘Zabela’ ne Kongresin Amerikan” dhe së dyti ni profil politik, poashtu të botueme tek “Zëri”.
Kronistët besoj se ka me iu ra n’mend me ba diçka t’hajrit për Ademin dhe kan me i gjetë edhe këto shkrime nëpër biblioteka…
Kanë shkrue ndonëse dy libra t’mdha për jetën e tij: Xhafer Shatri e Shkëlzen Gashi.

Ademi e ka ndrrue të jetuemit me të menduemit e lirisë për popullin e tij.
Në përpjekjet e lirisë munet me e pasë shoq sall Nelson Mandelen.
Zuni n’thu në ideologjinë e majtë dhe kjo e ndau nga Ibrahim Rugova, përndryshe do të ishin ni tandem brilant i politikës!

Ai foli me zânin e epokës të cilës i dha kuptim.
E ai ishte shumë ma i madh e ma njerëzor, seç e shihnim ndonjëherë, në turravrapet tona dhe në gjuhën tonë patetike.

Dhe për finale Ademi na e la lamtumirën duke ndjekur rrugën e tij, për një Shqipni t’bashkueme, të ëndërrt, por për të cilën u shkrinë si çiri shumë breza shqiptarësh të Kosovës!

Ndjeva dhembje deri në ligshtim për Ademin, unë që dikur nën dritë llame me vajguri e kam transkriotu brenda nate “Gjarpnijt e gjakut” e dikur kundërshtari ideor i tij!

Pusho në paqen e përhetshme Adem Demaçi.

Lamtumirë Marathonomak!

——————————————————-

Ne foto: Ne proteste per pengjet e luftes, 2003 ne Prishtine: Ali Podrimja – Mixha, Adem Demaci-Dema dhe Halil Matoshi