13:12 / E Mërkurë, 11 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Mbështetësi i kriminelit Millosheviq, Peter Handke, shpallet person non-grata, në Sarajevë

Fituesi i çmimit “Nobel” për letërsi, Peter Handke, është shpallur sot person non-grata në Kantonin e Sarajevës.

Ky vendim, i iniciuar nga deputetët e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), u miratua njëzëri në seancën e sotme nga Asambleja e Kantonit të Sarajevës.

Deklarata dënon dhënien e çmimit “Nobel” për mohuesin e gjenocidit të Srebrenicës, ku serbët vranë e masakruan tetë mijë burra myslimanë.

Në deklaratë thuhet se faza përfundimtare e gjenocidit është pikërisht mohimi i gjenocidit dhe se fituesi i çmimit “Nobel” për letërsi gjatë agresionit të tij në Bosnjë mbështeti publikisht regjimin serbomadh, me në krye kriminelin e luftës Slobodan Millosheviq.

“Handke nuk ndryshon pikëpamjet e tij sot, por shkon një hap më tej, duke njoftuar ardhjen e tij në Bosnjë e Hercegovinë dhe vizitën e tij te nënat nga Kravica në afërsi të Srebrenicës”, vazhdon deklarata.

Anëtarët e Asamblesë së Kantonit të Sarajevës e përshkruan dhënien e çmimit “Nobel” për Handken si një ofendim të ri për viktimat, me vlerësimin se vizita e tij në B e H dhe Sarajevë, do të shkaktonte poshtërim shtesë për viktimat e agresionit serbomadh.